E përditshmja katalanase Sport, historikisht shumë pranë Barcelonës, publikon ofertën e “Blaugranave” për Messin, si dhe faktin që La Liga do të miratojë federimin e Messit nëse argjentinasi do të pranojë të shkojë te Barcelona për një pagë prej 25 milionë eurosh bruto në vit, 4 herë më e vogël se ajo që fitonte kur la klubin në mënyrë surprizuese në verën e 2021.
Në atë kohë Barcelona paguante 100 milionë euro bruto për pagën e Messit. Gjithmonë sipas Sport është ky pakti taktik që ka bërë Barça me La Ligën, në negociatat për masën e buxhetit të lejuar të pagave për sezonin 2023-2024, ku duhet të përfshihen veç të tjerash kontratat e reja të Araujo dhe Gavi.
E përditshmja pranë Barcelonës gjithashtu informon se oferta e Barcelonës për Messin është për dy sezone, edhe pse argjentinasi do të ketë opsionin për ta zgjidhur në mënyrë të njëanshme kontratën që pas vitit të parë. Messi, të cilit i përfundon në qershor kontrata me PSG, ka një ofertë stratosferike nga Arabia Saudite, si dhe një propozim nga MLS në Amerikë. Ëndrra e tij është të rikthehet te Barcelona, dhe mbetet nëse ajo do të sinkronizohet me realitetin e Barcelonës dhe vetë lojtarit.
Për sa i përket kushtëzimeve ekonomike, Presidenti i La Ligas Javier Tebas, prej javësh luan si macja me miun kur përballet me mundësinë që Messi të kthehet te Barca sezonin e ardhshëm. Nga njëra anë siguron se është shumë e vështirë të shohim një rikthim të argjentinasit me fanellën blaugrana për shkak të kushtëzimeve ekonomike por ndërkohë këtë të mërkurë deklaronte:
“Ne si Ligë, shpresojmë se Barcelona do të bëjë lëvizjet e nevojshme që Messi të kthehet. Shpresoj se mund ta bëj. Unë jam një tifoz i Messit dhe dua që ai të luajë në kompeticionin tonë, por ne nuk do të ndryshojmë asgjë nga rregullat tona Barcelona mund të bëjë lëvizje për t’ia dalë, ato janë të shumta dhe të komplikuara, por mund ta bëjnë këtë”, tha Tebas.
Top Channel