Anëtarësimi në NATO “çelësi i paqes” në Ukrainë, Zelensky – Stoltenberg takim në Kiev

20/04/2023 19:31

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg zhvilloi një vizitë zyrtare me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, ku në fokus ishte anëtarësimi në aleancën e mbrojtjes.

Teksa vizitoi për herë të parë Kievin që pas nisjes së luftës, Stoltenberg, shprehu edhe njëherë mbështetjen që NATO, e cila do të vijojë. Por ai nuk dha ende një dritë jeshile për anëtarësimin, duke lënë që çështja të diskutohet në samitin e radhës, që do të zhvillohet në muajin korrik.

“Sot, presidenti Zelensky dhe unë diskutuam një iniciativë mbështetëse. Unë e pranoj që Zelensky do të ngrejë çështjen e anëtarësimit në NATO për të garantuar sigurinë. NATO ka treguar se dera jonë është e hapur, mbështetja që ne i ofrojmë po bën të mundur anëtarësimin në të ardhmen për Ukrainën”, tha Jens Stoltenberg – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ndërkohë nga ana tjetër presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ngulmoi edhe më shumë për miratimin e sa më shumë ndihmave ushtarake për t’i bërë balle sulmeve ruse. Gjithashtu theksoi se anëtarësimi në NATO është zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund luftës.

“Unë iu drejtova Sekretarit të Përgjithshëm me një kërkesë për të na ndihmuar të kapërcejmë hezitimin e partnerëve tanë në lidhje me dorëzimin të armëve të caktuara. Vonesa e vendimeve të duhura është koha e humbur për paqen dhe jetën e ushtarëve tanë. Ne do të jemi në aleancë dhe besojmë se kjo është një garanci e sigurisë për Ukrainën”, u shpreh Zelensky.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA