Vrasësi i Adrian Nikulajt u largua në qetësi me motorin e tij pasi kreu me gjakftohtësi vrasjen e biznesmenit këtë të mërkurë në mesditë në Shëngjin.
Në foton e siguruar nga Top Channel, duket autori, ende i pa identifikuar, që largohet me motor nga vendngjarja. Ai mban një maskë, skafandër, jelek jeshil, ndërsa është kamufluar me veshje të trasha.
Në një foto tjetër, të publikuar me herët, duket autori që i drejton armën në distancë shumë të afërt Nikulajt brenda në lokalin e tij në Shëngjin, teksa po konsumonte kafen.
Ai e ka qëlluar 7 herë me pistoletë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit dhe është larguar me motor, teksa ende ndodhet në arrati.
Nikulaj ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialdemokrate në zgjedhjet e vitit 2021. Ndërsa në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak.
Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim.
Konkretisht në vitin 2003 ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Qarku i Lezhës ka precedentë në krime që prekin personazhe të përfshira në procesin zgjedhor. Qershorin e vitit 2013 si pasojë e të shtënave nga armët e zjarrit, mbeti i vdekur në vend 49-vjeçari Gjon Gjoni, i cilësuar si simpatizant i LSI.
Në këtë breshëri armësh mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, kandidati i PD-së, Mhill Fufi njëkohësisht edhe nënkryetar i qarkut si dhe i afërmi i tij Kastriot Fufi.
Top Channel