Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, në një diskutim këtë mbrëmje në “Top Story”, ngre shqetësimin për krimin dhe vrasjet e paralajmëruara, të raportuara së fundi në Shqipëri.
Duke folur për vrasjen e biznesmenit Adrian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin, Karamuço thotë se kemi të bëjmë me një vrasës profesionist.
“Është përdorur një pistoletë TT, një armë për oficer në luftë. Autori duket se di ta përdorë mirë. Madje, e mban me një dorë. Duket që është i stërvitur. Ajo është një armë që ka forcë aktive shumë të fuqishme”.
Sipas Karamuços, është alarmant fakti se si porositen vrasjet në vend.
“Kjo tregon që ne përballë kemi vrasës profesionistë. Në çdo moment që do të vrasësh dikë, telefonon, paguan dhe i ke gati. Kjo është alarmante. Ai që ekzekuton di objektin, nuk e di motivin. Sepse ai është porositësi”.
Krimi ka në dispozicion makina për krime, depo armësh një përdorimëshe, shprehet eksperti në “Top Story”.
Teksa vendi është në fushatë zgjedhore, Karamuço thotë se këto krime po dëmtojnë procesin.
“Që nga ngjarja e Top Channel e në vazhdim, të gjitha do të jenë në raportin e OSBE për zgjedhjet. Po intimidohet media, po intimidohen votuesit”.
Top Channel