Të paktën katër civilë u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në Ukrainë mbrëmë, njoftoi zyra e shtypit e ministrisë ukrainase të mbrojtjes.
Një burrë 50-vjeçar dhe një grua 44-vjeçare u vranë në një sulm ajror rus në një qytet kufitar në rajonin verilindor të Kharkiv-it, tha guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.
Forcat ruse kryen 12 sulme me raketa, artileri, mortaja, tanke dhe dron në rajonin e Khersonit, duke vrarë një civil, tha guvernatori i këtij rajoni në jug të Ukrainës, Oleksandr Prokudin. Gjatë këtyre sulmeve u goditën në treg në qendër të Khersonit dhe një shkollë.
Një grua u vra dhe një tjetër person u plagos në Ukrainën veriore pasi forcat ruse bombarduan fshatin kufitar Richki, thanë zyrtarët e këtij rajoni.
Forcat ruse kryen sulme me dronë gjatë natës edhe në rajonin jugor ukrainas të Odesës.
Ndërkohë ministri ukrainas i mbrojtes tha të mërkuren se sistemet e mbrotjes ajrore ‘Patriot’ kanë mbërritur në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas të mbrojtjes kanë kërkuar për një kohë të gjatë armë të avancuara që mund të godasin raketat ruse. Forcat ukrainase janë stërvitur për disa muaj në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë për përdorimin e sistemit të raketave ‘Patriot’.
“Qielli ynë i bukur ukrainas sot është më i sigurt për shkak të mbërritjes në Ukrainë të sistemit të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’”, thuhet në një postim në Twitter të ministrit ukrainas të mbrojtjes, Oleksii Reznikov. “Forcat tona mbrojtëse mësuan me shpejtësi se si të përdorin këtë sistem dhe partnerët tanë e mbajtën fjalën”, shtoi ai.
Zyrtarët në Kiev kanë thënë në të kaluarën se pajisja e ushtrisë ukrainase me sistemin ‘Patriot’ do ta forconte atë dhe do të përbënte një hap të madh në luftën kundër Moskës. Sistemi ‘Patriot’ mund të godasë avionët luftarakë, raketat kruzë dhe raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi.
Top Channel