Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i dha fund “ëndrrës” së Sali Berishës për të qenë kryetar në fletën e votimit për zgjedhjet e 14 majit.
Me një manovër, më shumë taktike sesa politike, Ilir Meta vendosi t’ia dorëzojë koalicionin “Bashke Fitojmë” Sali Berishës, por dëshira e kryetarit të Partisë së Lirisë nuk u plotësua. Oponencën më të fortë, Berisha e pati nga ish-ministri i tij, Ilir Rusmali.
Në vlerësimin e anëtarëve të KAS, fleta e votimit nuk mund të qëndrojë pa kryetar ndaj vendosi korrigjimin e vendimit të Komisionerit, duke shënuar përbri koalicionit, “Bashkë Fitojmë”, emrin e Ilir Metës. Dëshirë kjo e Partisë Demokratike.
Sali Berisha u rrëzua dy herë brenda pak orësh, pasi KAS refuzoi të pranonte kërkesën e tij për heqjen e logove të partive nga fleta e votimit për kryetar Bashkie. Beteja tashmë pritet të zhvendoset në Kolegjin Zgjedhor e nëse shkalla e fundit e ankimit vendos të lërë në fuqi vendimin e KAS, Ilir Meta do të figurojë në krye të fletës së votimit me numrin 1.
Top Channel