Centrali i Ukrainës përmban teknologji bërthamore amerikane, paralajmeron SHBA: Mos të preken

19/04/2023 19:02

SHBA ka teknologji të ndjeshme bërthamore në një central bërthamor brenda Ukrainës dhe ka paralajmëruar Rusinë që të mos e prekë atë, sipas një letre që Departamenti Amerikan i Energjisë i dërgoi firmës shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom muajin e kaluar.

Në letrën, të cilën CNN thotë se e ka parë dhe mban datën 17 mars 2023, një nga drejtorët amerikanë të Departamentit të Energjisë, Andrea Ferkile, i thotë drejtorit të përgjithshëm të Rosatom se centrali bërthamor Zaporizhzhia në Enerhodar “përmban teknikë bërthamore me origjinë nga SHBA me të dhëna që kontrollohen nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara”.

Letra e Departamentit të Energjisë vjen pasi forcat ruse vazhdojnë të kontrollojnë centralin, i cili është stacioni më i madh bërthamor në Evropë dhe ndodhet në një pjesë të rajonit të Zaporizhzhia që Rusia pushtoi pas pushtimit të Ukrainës shkurtin e kaluar.

Centrali është shkëputur shpesh nga rrjeti elektrik i Ukrainës për shkak të granatimeve intensive ruse në zonë, duke rritur frikën në të gjithë Evropën për një aksident bërthamor.

Ndërsa uzina operohet ende fizikisht nga stafi ukrainas, Rosatom e menaxhon atë.

Dhe Departamenti i Energjisë paralajmëroi Rosatom në letër se është “e paligjshme” për çdo qytetar ose subjekt rus të merret me teknologjinë amerikane.

Nuk është e qartë nëse Rosatom i është përgjigjur letrës.

Ndërkohë Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore e Departamentit të Energjisë i tha CNN në një deklaratë se letra është autentike.

“Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore e Departamentit të Energjisë mund të konfirmojë se letra është legjitime”, citohet të ketë thënë Shayela Hassan, zëvendësdrejtoresha e marrëdhënieve publike për Administratën Kombëtare të Sigurisë Bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA