14 mijë të arrestuar, 200 tonë drogë të konfiskuara bashkë me mbi 8.200 armë zjarri të paligjshme.
Interpoli njoftoi rezultatet e super aksionit të tij me në fokus Amerikën Qendrore dhe Jugore, i cili zgjati tre javë e u shtri në 15 vende. Forcat e rendit nga veriu i Meksikës në jug të Argjentinës shkëmbyen informacione për blicin e koordinuar nga organizata ndërkombëtare e policisë, sipas të cilës arrestimet e kryera kanë goditur rëndë zinxhirët e funksionimit të disa bandave të fuqishme.
Operacioni i koduar Trigger IX, kishte kryesisht në shënjestër luftën ndaj trafikut të armëve, por pas bashkëpunimit të paprecedentë të një numri kaq të madh vendesh, u arrit të zbuloheshin dhe sasi të mëdha droge, një provë tjetër kjo siç tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock, se këto krime janë të ndërthurura.
Lënda narkotike në treg llogaritej të mbërrinte vlerën e 5.7 miliardë dollarëve. 11 persona u shpëtuan nga ana tjetër në Paraguai pasi autoritetet shkatërruan një rrjet të trafikut njerëzor.
Agjencitë ligjzbatuese kishin raportuar një rritje të dhunës lidhur me drogën gjatë vitit të kaluar, e nxitur nga trafikimi i armëve të paligjshme. Në operacionin që nxori gjithashtu në pah afera korruptive, mashtrime, krim mjedisor dhe aktivitete terroriste, morën pjesë autoritetet nga Argjentina, Bolivia, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, El Salvadori, Guatemala, Hondurasi, Meksika, Panamaja, Paraguai, Peruja dhe Uruguai.
Në terren, aksionet e koordinuara, thotë Interpoli, çuan në goditjen e 20 grupeve të organizuara kriminale përfshirë anëtare të Primeiro Comando da Capital, Mara Salvatrucha dhe atij që njihet si Karteli i Ballkanit, i cili është aktiv edhe në Amerikën e Jugut.
Top Channel