Ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin e shtetit, Kartum, teksa vazhdojnë luftimet mes dy forcave sudaneze që synojnë pushtetin.
Lajmin e ka konfirmuar kryedipomati i BE-së, Josep Borell.
“Kjo përbën shkelje të Konventës së Vjenës. Siguria e stafit diplomatik është përgjegjësi e autoriteteve sudaneze dhe obligim, sipas ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.
Ai nuk ka bërë të ditur për hollësitë si ka ndodhur sulmi dhe nëse është lënduar ambasadori. Ndonëse Borrell nuk ia ka përmendur emrin, ambasadori i bllokut evropian në Sudan është Aidan O’Hara, diplomat irlandez.
Sudani është përballur të hënën me ditën e tretë të luftimeve në mes të ushtrisë dhe grupit paramilitar të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë. Të dyja palët pretendojnë se kontrollojnë zonat kyçe në Kartum. Banorët janë duke tentuar të gjejnë streha për t’iu ikur shpërthimeve.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sudanin, Volker Perthes, ka thënë se rreth 185 persona kanë vdekur si pasojë e konfliktit, derisa mbi 1.800 të tjerë janë plagosur.
Zëdhënësi i Departmaentit amerikan të Shtetit, John Kibry, ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë plane për të evakuuar personelin amerikan. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të luftimeve.
Prej puçit të tetorit të vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve. Në qendër të problemit janë dy burra ushtarakë. Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i forcave të armatosura dhe faktikisht është edhe president i shtetit.
Si dhe zëvendësi i tij dhe lideri i forcës paramilitare RSF, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti. Ata nuk janë pajtuar për drejtimin që e ka marrë shteti dhe kanë propozuar udhëheqësi civile.
Por, një prej pikave bllokuese lidhet me planin për të përfshirë 100.000 pjesëtarët e forcës paramilitare në ushtri dhe se kush do të jetë më pas në krye të saj. /REL
Top Channel