Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se një autokolonë diplomatike amerikane është qëlluar me armë në Sudan, në një sulm të lidhur sipas gjasave me grupin paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Edhe pse nga episodi nuk pati të lënduar, shefi i diplomacisë së SHBA-së e përshkroi incidentin si “të pamatur” dhe “të papërgjegjshëm. Blinken telefonoi vecmas liderët e të dyja palëve në konflikt, kreun e RSF-së, gjeneralin Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, dhe shefin e ushtrisë sudaneze, gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, për t’u treguar se çdo rrezikim i diplomatëve amerikanë është i papranueshëm.
“E bëra shumë të qartë se çdo kërcënim, sulm, apo rrezikim i diplomatëve tanë, është krejtësisht i papranueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar sigurisht për mjedisin e përgjithshëm të sigurisë që prek civilët, siç prek diplomatët, siç prek punonjësit e ndihmës”, tha Blinken.
Ai shtoi më tej se i nxiti të dy gjeneralët të pranojnë vendosjen e një armëpushimi 24 orësh, i cili t`i lejojë sudanezët të bashkohen më familjet e tyre. SHBA është duke bashkërenduar ngushtësisht veprimet me vendet e tjera që kanë ndikim në Sudan, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Britaninë, si dhe Bashkimin Afrikan dhe organizatat tjera ndërkombëtare.
Të hënën në mbrëmje u raportua se ambasadori i Bashkimit Evropian në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartum. Duke e konfirmuar lajmin, shefi i politikës së Jashtmë të BE-së Josep Borrell shkroi se “ky paraqet shkelje të Konventës së Vjenës. Siguria e personelit diplomatik është përgjegjësi e autoriteteve sudaneze dhe detyrim, sipas ligjit ndërkombëtar”.
Top Channel