Shpërthimi me eksploziv në Fresk, fqinji: Ç‘kusur kam unë të më vrasin për tjetrin, gruas i ra të fikët

18/04/2023 13:04

Banesës së Muhamet Dukës në zonën e Freskut, i është vënë në orët e para të mëngjesit, lëndë plasëse duke shkaktuar panik tek banorët e tjerë të pallatit.

Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Në këtë banesë ka 4 vite që nuk banon njeri. Sasia eksplozive ka qenë e vogël, por fakti që ka shpërthyer në ambient të mbyllur, ka shkaktuar dëme tek ashensori dhe dyert e banesave përreth.

Për Top Channel, kanë dhënë deklaratën edhe disa fqinjë që jetonin pranë banesës së Dukës, ku shprehen të shqetësuar. Njëri preh tyre u shpreh se kërkon sigurinë e shtetit, sepse nuk ka kusur të vritet për hir të tjetër kujt.

“Jetoj prej 13 vitesh në këtë lagje, komshi kam Muhamet Dukën. Muhamet Duka ka pasur probleme me fëmijët e tij, me shtetin, punë e tij, ç’kusur kam unë tani që të më vrasin mua për qefin e tjetrit? Kërkoj sigurinë e shteti në radhë të parë, se po vriten njerëzit rrugëve. Nuk ka siguri shteti,  gruas i ra të fiktë, unë u mbyta aty, vajta në spital në urgjencë”, tha fqinji.

“Ne kërkojmë siguri për herë të parë se brenda në shtëpi, dy pleq, pensioniste, të na vrasin brenda shtëpisë, nuk i kemi borxh njeriu. Ne e kemi patur gjiton, nuk kemi patur ndonjë konflikt me ta, kemi qenë shumë mirë me ta. Dinamiti nuk është vënë në derën tonë, është vënë në derën e tij. Ka përplasur me derën tonë dhe na është bërë dëm”, tha fqinja.

“E dëgjuam në 3 të natës, u trembëm, kujtuam se ishin ato të sahatit se ka ndodhur pak kohë më parë, kaq, pastaj nuk dolëm. Nuk morëm vesh, ja tani në mëngjes, se nuk doli asnjë nga banesa. U trembëm pak, po hajde çfarë do bënim”, tha fqinja tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA