SHBA ngre akuza për veprime të fshehta policore në emër të Kinës në territorin amerikan

18/04/2023 18:25

Dy banorë të qytetit të Nju Jorkut të arrestuar nga FBI-ja të hënën nën dyshimet se po drejtonin një stacion sekret të paligjshëm policor për llogari të Kinës në lagjen kineze të qytetit, u liruan me kusht pas daljes fillestare në gjykatë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi gjithashtu për akuza ndaj 44 oficerëve kinezë të sigurisë në lidhje me përpjekjet e Kinës për të goditur disidentët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Kina i mohoi sot akuzat dhe i quajti ato veprime politike.

Liu Jianwang dhe Chen Jinping përballen me akuza për një komplot duke vepruar si agjentë të qeverisë së Kinës pa informuar autoritetet amerikane dhe për pengim të drejtësisë, thanë prokurorët. Asnjëri prej tyre nuk pranoi, ose hodhi poshtë fajësinë të hënën.

“Në të paktën një rast, një zyrtar i Policisë Kombëtare Kineze udhëzoi një nga të pandehurit, një shtetas amerikan, që punonte në stacionin e policisë sekrete për të ndihmuar në gjetjen e një aktivisti pro-demokracisë me origjinë kineze, që jetonte në Kaliforni. Kjo do të thotë se policia kombëtare kineze duket se ka përdorur stacionin për të gjurmuar një banor amerikan në territorin e Shteteve të Bashkuara. Dy të pandehurit, arrestimet e të cilëve po njoftojmë sot, shkatërruan provat e komunikimit me policinë kombëtare kineze kur mësuan për hetimin e FBI-së. Këta dy të pandehur e dinin se po fshihnin diçka dhe penguan drejtësinë, kur u përpoqën të pengonin FBI-në të merrte informacionet e plota për atë që ata po bënin.”

Sipas prokurorëve, dy të pandehurit hapën stacionin e Nju Jorkut në shkurt 2022 dhe e mbyllën atë në tetor, pasi morën vesh për hetimin e FBI-së.

Stacioni, një nga më shumë se 100 të tillë që Kina dyshohet se operon në mbarë botën, u përdor nga Ministria e Sigurisë Publike e Kinës për të përndjekur aktivistët dhe disidentët kinezë në Shtetet e Bashkuara. Të akuzuarit figurojnë si drejtues të një organizate jofitimprurëse kineze në Manhatan, sipas prokurorëve.

Po të hënën, prokurorët amerikanë akuzuan 40 oficerë të ministrisë kineze të sigurisë publike dhe dy zyrtarë të Administratës Kibernetike të Kinës për krime të lidhura me përpjekjet për të goditur shtetasit kinezë në qytetin e Nju Jorkut dhe gjetkë në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së thanë se anëtarët e policisë kombëtare të Kinës, kishin krijuar dhe përdorur llogari të rreme mediash sociale për të gjetur dhe vënë në shënjestër disidentët në SHBA.

Sipas prokurorëve, në disa raste ka patur edhe përpjekje për riatdhesim me forcë të individëve të kërkuar nga qeveria kineze. Ministria e Jashtme e Kinës reagoi të martën pas ngritjes së akuzave ndaj policëve kinezë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, e dënoi veprimin si “manipulim politik” dhe akuzoi SHBA-në se e kishte sajuar akuzën për të sulmuar Kinën.

Zoti Wang mohoi ekzistencën e stacioneve policore të huaja që thuhet se drejtohen nga qeveria kineze, duke përsëritur angazhimin e vendit të tij ndaj “parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera”.

Rastet e fundit janë pjesë e masave të Departamentit të Drejtësisë vitet e fundit për të frenuar përpjekjet e qeverisë kineze për të lokalizuar aktivistët pro-demokracisë dhe të tjerë në Amerikë që janë kritikë të hapur ndaj politikave të Pekinit dhe për të shtypur zërin e tyre.

Megjithëse Kina besohet se ka stacione të fshehta policore në vende anembanë globit, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se këto arrestime ishin të parat e këtij lloji kudo në botë.

Arrestimet vijnë pasi drejtori i FBI-së, Christopher Wray, i tha një komisioni të Senatit amerikan në nëntor, se ishte “shumë i shqetësuar” për praninë e stacioneve të tilla në qytetet amerikane./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA