Juria do të njihet për herë të parë të martën me padinë prej 1.6 miliardë dollarësh, që kompania e makinave elektronike të votimit, ka ngritur ndaj rrjetit televiziv Fox News, duke e akuzuar atë për shpifje lidhur me rolin e saj në zgjedhjet e presidenciale të 2020.
Gjyqi shihet si një provë lidhur me mbrojtjen që garanton Amendamenti i Parë i kushtetutës amerikane, për lirinë e shprehjes, ndërsa pritet gjithashtu të hedhë dritë mbi rolin e rrjetit televiziv, në përhapjen e gënjeshtrave lidhur me zgjedhjet presidenciale.
Përzgjedhja e jurisë dhe deklaratat hapëse të palëve ishin planifikuar për ditën e hënën, por gjykatësi i çështjes Eric Davis, vendosi shtyrjen me një ditë të procesit. Gjykatësi nuk dha asnjë shpjegim për shtyrjen, por sipas burimeve në dijeni të çështjes, shtyrja u bë për t’u dhënë palëve kohë,të arrijnë një marrëveshje dhe shmangur procesin gjyqësor.
Firma ‘Dominion’ akuzon Fox News-in se u dha zë akuzave të rreme për mashtrime zgjedhore, duke e përfshirë atë në një komplot të rremë, sipas të cilit, kompania manipuloi votat në kurriz të ish-Presidentit Trump.
Si pasojë, kompania thotë se ka humbur kontrata dhe se punonjësit e saj kanë qenë subjekt kërcënimesh.
Gjigandi mediatik pretendon se padia e ngritur nga ‘Dominion’ përbën një kërcënim për lirinë e shtypit dhe shton se dëmshpërblimi prej 1.6 miliardë dollarësh, është jo realist e pa logjike ekonomike.
Gjyqi që nis sot shihet si një prej rastet më të bujshme për shpifje në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Emra të njohur të televizionit Fox News si Tucker Carlson dhe Sean Hannity, apo themeluesi i kompanisë Rupert Murdoch, pritet të dëshmojnë gjatë gjyqit gjashtë-javor. Është e paqartë nëse ndonjë prej dëshmitarëve do të thirret për të dëshmuar që sot.
Top Channel