Një 33-vjeçar nga Lezha i shpallur në kërkim ndërkombëtar si bashkëposedues i një arsenali të përbërë prej 6 armësh zjarri, 1 armë gjahu dhe lëndë plasëse, është kapur në Barcelonë dhe ekstradua drejt vendit tonë.
Edmir Vlashi alias Edmir Marku ishte i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, të finalizuar nga Policia e Lezhës, në dhjetor të vitit 2021.
Gjatë këtij megaoperacioni, u sekuestrua arsenali i armëve dhe shuma 88 900 euro e dyshuar e përfituar nga tregtimi i armëve, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas, të afërm të 33-vjeçarit të ekstraduar nga Spanja.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Më datë 07.12.2021, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mataro”, në banesën e këtij shtetasi dhe në banesën e të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe kunati i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.
Shtetasi E. V. alias E. M. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Top Channel