Ministrat e Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) thanë se janë më të bashkuar se kurrë, teksa kritikuan presionin e shtuar të Kinës ndaj Tajvanit dhe kërcënimin e Rusisë se do të dislokojë armë bërthamore në Bjellorusi në kohën kur Moska po vazhdon luftën në Ukrainë.

“Fuqia e solidaritetit në mesin e ministrave të Jashtëm të G7-s është në një nivel që nuk është parë më parë”, tha ministri i Jashtëm i Japonisë, Yoshimasa Hayashi, gjatë një konference për media pasi ishte nikoqir i takimit të G7-s në qytetin japonez Karuizava.

Shfaqja e solidaritetit vjen pasi gjatë këtij muaji presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Bashkimi Evropian duket të ulë varësinë e tij nga Shteteve të Bashkuara dhe të jetë i kujdesshëm që të mos përfshihet në krizën e Tajvanit.

Pekini e sheh Tajvanin si territor kinez dhe nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për të marrë nën kontroll këtë ishull vetëqeverisës. Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, ka thënë se vetëm populli i këtij ishulli mund të vendosë për të ardhmen e tij.

Në deklaratën e G7-s u tha se në agjendën treditore të takimeve ka qenë ndërhyrja ushtarake ruse dhe frika për veprime të ngjashme nga Kina ndaj Tajvanit.

Grupi, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe Kanadaja, tha se kërcënimi i Rusisë për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi ishte “i papranueshëm”. G7 tha se “çdo përdorim i armëve kimike, biologjike apo bërthamore në Ukrainë do të përballet me pasoja shumë të rënda”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar tha se Rusia do të vendosë në Bjellorusi armë bërthamore taktike sepse aleanca ushtarake e NATO-s po zgjerohet drejt kufijve të Rusisë.

Kjo ishte hera e parë që kur ka përfunduar Lufta e Ftohtë tri dekada më parë që Rusia ka sugjeruar se do të vendosë forca bërthamore në një shtet tjetër, duke rritur tensionet me Perëndimin lidhur me Ukrainën.

Ministrat e G7-s po ashtu janë pajtuar se paqja dhe siguria në Ngushticën e Tajvanit janë kritike dhe kanë kundërshtuar militarizimin në Detin Jugor të Kinës. Ata i kanë bërë thirrje Pekinit që të veprojë si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA