Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputetja Monika Kryemadhi u paraqit në Gjykatën e Tiranës për të bërë një padi civile ndaj televizionit Top Channel dhe lajmëroi edhe një padi penale.
Arsyeja është publikimi i disa fakteve nga Top Channel për pagesa të marra dhe të dhëna nga zonja Kryemadhi për kompani të regjistruara në parajsa fiskale, por të vërtetuara që pas tyre qëndrojnë oligarkë rusë të lidhur ngushtësisht me Kremlinin.
Monika Kryemadhi: Nesër do ta pasoj me një kallëzim penal për veprën penal që ka kryer shoqëria Top Channel ndaj meje duke paraqitur dokumente të falsifikuara apo edhe duke ushtruar shantazh dhe duke manipuluar dhe mashtruar opinionin publik.
Në padinë e saj, Kryemadhi nuk kërkon të vërtetën mbi faktet por të vërtetës i ka vendosur një çmim.
Monika Kryemadhi: Për momentin kam kërkuar vlerën 400 mijë euro. E cila do të jetë një vlerë e cila më vonë mund të rritet me tutje duke pasur parasysh që kjo shumë mund të shtohet në qoftë se shoqëria mediatike do të vazhdojë të shpifë apo falsifikojë ndaj personit tim.
Ndryshe nga Kryemadhi, Top Channel ka qëllim t’i shërbejë të vërtetës dhe fjalës së lirë pa asnjë çmim. Padia me dëmshpërblim e ish kryetares se LSI, nuk ka për qëllim pastrimin e figurës se saj, por dëmtimin e medias në aspektin financiar.
Në Qendrën Europiane për Lirinë e Medias, padia e Kryemadhit njihet si e llojit SLAPP (Strategic Laësuit Against Public Participation), e cila synon intimidimin dhe rritjen e presionit ndaj medias për të mos publikuar fakte ndaj politikanëve që cenojnë interesin publik.
Top Channel i bën thirrje organeve të drejtësisë që paralelisht me padinë e zonjës Kryemadhit ndaj medias, të vërtetojë faktet e implikimit të saj me financimet ruse.
Rikujtojmë zonjën Kryemadhi që fjala e lirë u godit një herë këtë vit, dhe meqenëse nuk tregoi as solidaritet në ato momente për median tonë e ftojmë që të sqarojë publikisht faktet e raportuara në lajme.
Top Channel nuk shantazhohet nga asnjë subjekt politik, sepse kjo media është pronësi e shqiptarëve, të cilët prej vitesh i qëndrojnë besnik ekranit tonë.
Top Channel