Një turisteje angleze i është vjedhur çanta ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ndërsa patrulla e policisë ka kapur hajdutin, brenda pak minuash.
Ngjarja ndodhi paraditen e së hënës, rreth orës 10.15, në Rrugën Tregtare në Durrës.
Një i ri i ka rrëmbyer çantën një turisteje, po patrulla e policisë ka reaguar shpejt dhe ka kapur 28-vjeçarin Kreshnik Margjoni, banues në lagjen nr.17. Ai është personi i dyshuar i vjedhjes së çantës së turistes angleze, me origjinë shqiptare, Vanesa L.
Gjatë kontrollit fizik të riut iu gjet një portofol që i përkiste turistes së bashku me sende të tjera personale dhe një thikë, ndërsa çanta u gjet e hedhur disa metra më tutje.
Margjoni rezulton me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve. Një ndër to është vjedhja nën kërcënimin e thikës, në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në Durrës, në lagjen nr. 4, në vitin 2018.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa 42 vjeçarja ka falenderuar shërbimet e policisë.
“Durrës/ Vodhi çantën e një turisteje angleze, brenda së cilës kishte sende personale, vihet në pranga, brenda pak minutash, 28-vjeçari. 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve. Gjithashtu, ky shtetas, autor i tentativës për vjedhje nën kërcënimin e një mjeti prerës (thikë), në filialin e një banke të nivelit të dytë, ngjarje e ndodhur në lagjen nr. 4, Durrës, në vitin 2018. Sekuestrohen çanta e turistes angleze, me sendet personale brenda saj, si dhe një mjet prerës (thikë) që iu gjet këtij shtetasi, gjatë arrestimit. Shërbimet e Komisariarit të Policisë Durrës dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në verandën e një lokali në bulevardin “Epidamn”, një shtetas i kishte vjedhur çantën një shtetaseje 42 vjeçe, nga Anglia, turiste në vendin tonë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit të këtij rasti. Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta profesionale, shërbimet e Policisë identifikuan menjëherë autorin dhe u vunë në ndjekje të tij. Brenda pak minutash, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga, shtetasin K. M., 28 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. 28-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan çanta e turistes angleze, me sendet personale brenda saj, si dhe një mjet prerës (thikë) që iu gjet shtetasit K. M. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Hjithashtu, 42-vjeçarja nga Anglia ka falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për të përcjellë siguri për turistët që vizitojnë Durrësin dhe Shqipërinë”, sipas njoftimit të policisë.
Top Channel