Lavrov viziton presidentin e Brazilit Lula: Çdo marrëveshje armëpushimi duhet të pranojë “realitetin” e aneksimit (fotot)

17/04/2023 18:57

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov u ul sot pasdite në Brasilia duke hapur turneun për forcimin e lidhjeve të Rusisë me Amerikën Latine.

Vizita vjen vetëm disa ditë pasi këshilltari i presidentit brazilian për politikën e jashtme Celso Amorim, kishte qenë në Moskë për të diskutuar mundësitë e zgjidhjes paqësore të konfliktit të rëndë në Ukrainë.

Lavrov tha sot në lidhje me çështjen se dëshiron që konfikti të përfundojë sa më shpejt por çdo marrëveshje armëpushimi duhet të pranojë “realitetin” e aneksimit të provincave lindore të Ukrainës.

Në konferencën e shtypit me homologun e tij Mauro Vieira, Lavrov falënderoi Brazilin që “mirëkuptonte gjenezën e situatës në Ukrainë” duke thënë se Rusia ka interes në mbylljen sa më të shpejtë të konfliktit”.

Presidenti Luiz Inacio Lula ka refuzuar të dërgojë armë për Ukrainën, duke propozuar një grup vendesh që të negocjojnë për paqen, mes të cilave Brazili e Kina.

Dy ditë më parë në Brazil ishte për vizitë dhe presidenti kinez Xi Jinping.

Pas presidencës së kontestuar të Bolsonaro, administrata e re e Brazilit duket se po vijon politikën e miqësisë me vendet e grupit ekonomik BRICS, ku bëjnë pjesë Rusia e Kina.

Në vizitën amerikano-latine të Lavrov përfshihen gjithashtu aleatë të tjerë të Rusisë së Venezuela, Kuba, e Nikaragua.

Lula po ndjek një politikë të jashtme ambicjoze multilaterale teksa ka qenë në Pekin për të diskutuar me Xi Jinping për luftën, një lëvizje që u pa me dyshim nga Uashingtoni.

Megjithë propozimet e negocjatave për mbylljen e konfliktit, ekspertët thonë se mungesa e peshës diplomatike të Brazilit, do të bëjë të vështirë arritjen e këtij objektivi.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA