Izraeli kufizon kremtimin e Pashkëve Ortodokse në Jeruzalem prej ‘problemeve të sigurisë’ (fotot)

17/04/2023 17:49

Ceremonia tradicionale ortodokse e Zjarrit të Shenjtë tërheq rreth 10,000 besimtarë kristianë çdo vit në Jeruzalem teksa te shtunën e dje ajo u shoqërua me imazhe të vrazhda dhune të ushtarëve izraelitë që kufizonin grumbullimet e besimtarëve, sipas tyre prej situatës së sigurisë së ulët.

Eventi në kishën e Sepulturës së Shenjtë raportohet se zhvillohet aty prej 1000 vjetësh, në vendin mistik ku tradita thotë se aty është kryqëzuar Krishti, e më pas është varrosur dhe ringjallur.

Kisha gjendet në zonën e pushtuar të Jeruzalemit Lindor, dhe në vitin e dytë radhazi në Pashkë është bërë skenë e dhunës së ushtarëve që kufizojnë numrin e besimtarëve.

Ushtria izraelite tha se nuk do të lejonte më shumë se 2000 njerëz pranë kishës, duke përfshirë dhe rreth 200 policë e ushtarë.

Mijëra kristianë palestinezë dhe të huaj ishin mbledhur dje në sheshin para kishës pranë mureve të Qytetit të Vjetër.

Ceremonia kryhet me flakën e sjellë nga varri i Krishtit dhe më pas kalimin e saj mes besimtarëve.

Theophilus III, patriarku ortodoks grek i Jeruzalemit, nisi ritualin pasditen e të shtunës mes thirrjeve të këngës e gëzimit teksa flaka kalohej mes besimtarëve, shkruan britanikja The Guardian.

Policia tha se kufizimet janë për arsye sigurie pas një incidenti me viktima një festival fetar hebre në 2021, por kristianët palestinezë thonë se ato janë provë e diskriminimit të ushtrisë hebreje ndaj tyre, pas akteve të ngjashme me besimtarët muslimanë në xhaminë e Al Aksa në Jeruzalem.

Ahmad Tibi, anëtar parlamenti arabo-izraelit tha të shtunën: “Të gjithë palestinezët në Jeruzalemin Lindor, muslimanë e kristianë, vuajnë dhunë e pushtimit, ne duhet të punojmë për heqjen e këtyre kufizimeve dhe dhunës së policisë”.

Zëdhënsi i policisë izraelite Dean Elsdunne tha se “nuk kundërshtojnë ardhjen e numrave të mëdhenj të besimtarëve, por prioritet kryesor është jeta njerëzore”.

Ceremonia e këtij viti vjen mes sulmeve vrasëse në Bregun Perëndimor, në Jeruzalem dhe Izrael, ndërsa në Tel Aviv vendasit protestuan të shtunën për të 15-herë radhazi kundër reformës autoritare në drejtësi të kryeminsitrit Benjamin Netanyahu, e cila është lënë në pauzë.

FOTO GALERI
1/5
Ceremonia tradicionale ortodokse e Zjarrit të Shenjtë tërheq rreth 10,000 besimtarë kristianë çdo vit në Jeruzalem teksa te shtunën e dje ajo u shoqërua me kufizime

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA