Në Exclusive në Top Channel vjen historia e Sier Pinos, shqiptares së parë të lindur në Kinë. Së bashku me analistët Fatos Çoçoli, Ben Andoni dhe Leftioni Peristere, në këtë program trajtohet se ku janë sot marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës.
Nga Ardi Pulaj
“Unë jam Sieri, emri im është kinez sepse unë kam lindur në Kinë. Ka një histori të veçantë, sepse unë jam e para shqiptare që kam lindur në Kinë. Emri im do të thotë një njeri që sjell lumturi në familje. Prindërit e mi, në kohën që linda unë ishin punonjës të ambasadës shqiptare në Pekin. Kam lindur më 12 gusht 1957 dhe babai im Dilaver Pino dhe nëna ime Liri Pino gjendeshin aty në atë kohë. Ndërkohë në Shqipëri kishte lindur një vajzë kineze, e para kineze që lindi në Tiranë dhe asaj ja vunë emrin Donika. Ndaj për këtë arsye menduan që për reciprocitet, mua të më vinin një emër kinez. Prindërit e mi ishin në Kinë nga viti 54-58. Marrëdhëniet me Kinën në atë kohë ishin të jashtëzakonshme. Mamaja ime i adhuronte kinezët për modestinë, për këmbënguljen, disiplinën në punë, kulturën e lashtë. Marrëdhëniet ishin të jashtëzakonshme, vinin delegacione të niveleve të larta. Kur u ktheva në Shqipëri në vitet 67-70 në çdo 1 tetor për Festën e Kinës mësuesit më çonin në ambasadën kineze dhe thonin që jam e para vajzë e lindur në Kinë. Kur linda unë dhe më vunë këtë emër, kryeministri i Kinës, Çu En lai i bëri një telefonatë kortezie babait tim dhe e falënderoi që më vuri emër kinez fëmijës së parë shqiptar që lindi në Kinë dhe ai i premtoi që kur të rritesha unë do shkoja studente në Kinë. Dhe unë duhet të shkoja në vitin ’77 dhe në atë kohë kur unë tentova të aplikoja për të qenë student në Kinë më thanë që nuk është situata e mirë dhe nga kjo dukej që marrëdhëniet shqiptaro-kineze po ftoheshin. Emri im mbeti dhe kishte shumë në Tiranë, që nuk ishte e madhe, si i bukur dhe askush s’më gjykoi që kisha emër kinez. Unë kam dashur shumë të shkoj në Kinë dhe jam përpjekur disa herë të lë takime edhe me ambasadën kineze. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë, madje bashkëshorti im ka qenë në Kinë në ’75 si arkitekt dhe ai më thoshte që duhet të shkosh patjetër në Kinë sepse është një vend aq i madh e aq i bukur dhe ti ke një histori, por nuk ndodhi dhe unë ende shpresoj që një ditë ta shoh Kinën, sepse interesi e dashuria e ardhur natyrshëm nga fëmijëria, nga prindërit, vazhdojnë të jenë të pranishme. Gëzohem për sukseset e Kinës, e konsideroj veten pak pjesë e popullit kinez. Më pëlqen që ecin përpara me shpejtësi, janë popull i disiplinuar. Në këtë moment marrëdhëniet Kinë-Shqipëri I shoh pak jo fort të mira, jo si më përpara, por I shoh të pozicionuara ndryshe, në lidhje me luftën në Ukrainë, pozicionin e qeverisë shqiptare ndaj Kinës, mendoj se duhet të kishte përpjekje më të mëdha nga të gjitha palët”, tregon historinë e saj Sier Pino, shqiptarja e parë e lindur në Kinë.
Historia e Sier Pinos na kthen pas në një kohë kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës ishin në pikun e tyre, qoftë nga ana politike, ashtu dhe nga ajo ekonomike. Shumë vite më pas, ku qëndron ky bashkëpunim, sidomos ai tregtar në një kohë që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, aleate e SHBA dhe që synon të bëhet pjesë e BE në të ardhmen e afërt. Sot në Exclusive në Top Channel do të flasim se si Kina qëndron në raport me Shqipërinë për sa i përket ekonomisë.
Shqipëria dhe Republika Popullore e Kinës mbartin një histori të gjatë bashkëpunimi, që për çështje ideologjike më pas u ndërpre në vitet ‘70. Tirana zyrtare nuk e priti mirë hapjen e Kinës ndaj SHBA në veçanti dhe Perëndimit në përgjithësi. Megjithatë deri në mbërritjen në këtë pikë, Kina kishte lënë një gjurmë të rëndësishme në ekonominë dhe infrastrukturën e Shqipërisë.
“Nga fundi i viteve ’40 sepse atëherë filloi bashkëpunimi i mirëfilltë. Ne nuk kishim mundësi për eksporte në tregun kinez, por morëm ndihma për ekonominë. U intensifikuan pas viteve ’50 kur edhe marrëdhëniet ishin në nivel më të lartë politik, dimensionet kulturore. Ndihma kryesore materiale për industrinë shqiptare, makineri të rënda, HEC-et, gjithçka ka qenë me ndihmën bujare kineze. Më shumë se raport tregtar, ishte me vlerë sepse u elektrifikuam deri në vitet ’70 dhe të ndërtonim industri për atë që kemi dhe sot për HEC-et”, thotë Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie.
“Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipërinë dhe Kinën i lidhte çështja e përbashkët e socializmit; dy vende të lidhura në bllokun komunist. Më pas i mbante bashkë kundërshtia ndaj Bashkimit Sovjetik, por pasi Shqipëria doli nga orbita sovjetike ishte te bashkëpunimi ekonomik. Kemi shumë projekte të zbatuara në Shqipëri, ndihma që u dhanë për njohjen e Kinës në OKB. Rreth gjysmë e GDP-së në ’71 Kina e ka harxhuar për të kompensuar vendet që e mbështetën për ta nxjerrë në arenën ndërkombëtare. Ky bashkëpunim shkoi drejt 0 në shkëmbim diplomatik, njerëzor, kulturor me kalimin e viteve kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me RPK-në sepse Pekini kërkonte të zhvillonte ekonominë; u lidh me SHBA dhe Perëndimin”, shprehet Leftioni Peristere, gazetar.
Ndërsa analisti Ben Andoni thotë: Kinës i duhej Shqipëria si një lloj trampoline përsa i përket qasjes në Europë dhe jo më kot, njerëzit që vinin në Shqipëri, ambasadorët e tyre kanë qënë nga emisarët më të lartë. Ata kishin parë që industria jonë kishte më shumë frymën ruse dhe u munduan të përditësonin atë, jo cilësor por sasior. Për hir të së vërtetës, kjo vazhdoi shumë, deri në mesin e viteve ’70, kur Kina filloi të shihte ide shumë interesante për tu lidhur me Perëndimin se kishte parë që boshti tregtar amerikan po zhvendosej drejt Azisë.
Në vitin 2020, gjenerali amerikan Michael Barbero paralajmëroi Shqipërinë se pavarësisht se investimet e Kinës mund të duken mjaft të favorshme tani, por në një prizëm afatgjatë janë dëmtuese për vendin. Sipas Barberos, Kina është tigri dhe do të hajë shumë nga miqtë tanë. Po në të njëjtin vit, Shqipëria ju bashkua nismës së presidentit të atëhershëm Donald Trump, “Rrjeti i Pastër”, për projektin e rrjetit 5G, në një kohë që pajisjet që janë nën zotërimin e kompanive kineze nga Uashingtoni u konsideruan kërcënim ndaj sigurisë kombëtare, politikës së jashtme dhe ekonomisë së vendit. Kjo ravijëzoi edhe më shumë stepjen e Shqipërisë nga bashkëpunimi ekonomik me Kinën.
“Shqipëria është vend i NATO-s dhe padyshim që cdo propozim për projekte dhe investime nga ana e Kinës do e shohë dhe në aspektin e ndikimit që mund të kenë në mbrojtjen kombëtare, e të dhenave personale. Po marr shembullin e rrjetit 5G. Shqipëria ishte ndër vendet e para që ju bashkua SHBA për të ndaluar teknologjinë kineze. Kompanitë që do të ofrojnë shërbim 5G në Shqipëri nuk mund të përdorin pajisje kineze. Edhe investimet e tjera, duke marrë shembull nga kjo do të shihen me lupën e cështjes kombëtare, ndjeshmërisë që do të kenë këto projekte, jo vetëm ndaj SHBA, por edhe ndaj NATO-s. Shqipëria është një vend që ka përparësi NATO-n, BE dhe e rakordon politikën e jashtme me BE. Nëse BE vendos sanksione apo kufizon tregtinë me Kinën dhe Shqipëria është e detyruar ta bëjë një gjë të tillë”, thotë Peristere.
“Do ishte deri diku e pranueshme nëse do bëhej ajo që Kina u mendua se do investonte për hidrocentralin në veri por duket që ajo është kanalizuar te burimet në teknologji. Mbetet problemi i 5G dhe mënyra se si në Shqipëri shihet Kina nëpërmjet ndikimit amerikan. Një lider me logjikë largpamëse shqiptar mund të shihte fusha interesi te Kina, sepse mendoj që Kina, jashtë asaj që ka në Serbi me investime të jashtëzakonshme, me Malin e Zi që ka marrëdhënie jo të mira, Shqipërisë për shkak të intertësisë së vjetër mund të gjente një bazë të mirë të kulturës së tyre të madhe të respektuar në Europ”, deklaron Ben Andoni.
“Është si puna e autocensurës, ti frenohesh: partneri strategjik nuk do ndjehet mirë. Interesi ekonomik nuk ka lidhje me një qasje gjeopolitike që ke marrë. Shumë mirë që jemi anëtarë të NATO-s, është mirë që kemi edhe nga BE, por mendoj që duhej diversifikuar kapitali i huaj, pse jo edhe me kapital kinez, më njohuritë dhe teknologjinë kineze. Nuk ka asnjë pengesë nga aleatët tanë që ne të diversifikojmë portofolin e kapitalit të huaj”, shprehet Fatos Çoçoli.
Në vitin 2017, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Kinën në kuadër të Iniciativës Brezi dhe Rruga, që kombinon rrugët tokësore dhe detare nga Kina në Evropë. Është një nismë direkte e presidentit kinez Xi Jinping për të rritur ndikimin e vendit në botë.
Studimet e fundit tregojnë se Kina ka dhënë mbi 104 miliardë dollar kredi shpëtimi për vendet në zhvillim për periudhën 2019-2021, shifër që është pothuajse e barabartë me vlerën e huadhënieve të vendit gjatë dy dekadave të kaluara. Progresi i Shqipërisë në Iniciativën Brezi dhe Rruga është i padukshëm.
Në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi pati një histori jo të mirë me investimet kineze në kuadër të nismës: autostrada që nis nga Tivari deri në kufi me Serbinë, për ndërtimin e së cilës Podgorica mori një kredi prej afro një miliard dollarësh nga banka shtetërore kineze dhe që nuk e shlyente dot.
“Në një farë mënyre Shqipëria “shpëtoi” pa marrë kredi nga bankat kineze për të realizuar këtë projekt. Në vendet e tjera projektet kanë rezultuar problematike, sepse vendet me kapacitet të vogël ekonomik e me të ardhura të ulta janë detyruar të marrin kredi shumë të mëdha që nuk i përballojnë dot ekonomikisht. Mali i Zi është një shembull. Nëse nuk do kishte ndërhyrë BE, do të kishim pasoja të mëdha financiare për këtë vend. Kemi shembullin e Sri Lankës, një vend që shkoi në trazira civile vetëm pse shteti falimentoi. Ndërkohë disa vepra infrastrukturore, portet e Sri Lankës janë marrë në dorëzim nga Kina, sepse nuk arriti të paguante kreditë”, thotë Leftioni Peristere.
Për Ben Andonin, “autostrada në Mal të Zi ka qenë në kuadër të investimeve të mëdha që i duhen për turizmin kur konkurron me Kroacinë, sepse ende nuk përllogaritet forca e Shqipërisë në turizëm. U intereson infrastruktura, sepse ajo e Malit të Zi. Borxhi është zgjidhur me ndihmën e BE dhe bankave. Janë garanci afatgjata dhe Mali I Zi ka varësinë ndaj BE për këtë problem.”
“Ne jemi borxhlinj të mirë. Borxhi ynë është i rritur, për shkak të tërmetit, pandeminë, kemi inflacionin e lartë nga konflikti Rusi-Ukrainë. Ne I kemi shlyer detyrimet dhe nuk kemi pse të stepemi nga borxhi i Malit të Zi. Nuk është faji I investitorit kinez që Mali I Zi nuk shlyen dot borxhin. Ne I kemi shlyer në kohë, dhe nuk duhet të frikësohemi që të marrim borxhe nga kapitali kinez, sic kemi marrë borxhe nga Eurobondi, thotë Fatos Çoçoli.
Analisti Ben Andoni shton: Në Serbi kohët e fundit ka një lloj qësëndije me Rusinë për shkak se ajo mbahet në pjesën patetike dhe në Serbi thonë në mënyrë metaforike që Rusia të jep ajër, ndërsa Kina të jep investime. Ky sens, mënyra për të ditur të thithësh investime e bën Serbinë të jetë avantgard në Ballkan. Nuk ndodh e njëjta gjë me Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, sepse ka turbulence të mëdha dhe se indikacionet ekonomike nuk janë si tregohen, ndaj ka ndikuar dhe borxhi. Vendet me ekonomi të mirë kanë qasje të mirë për investime. Rasti ynë duhet të jetë pak i Serbisë.
Me pozicionin e qartë të Shqipërisë, të artikuluar nga kryeministri Rama në takimin e këtij viti me homologun gjerman Olaf Scholz se bashkëpunimi me Kinën është fare normal dhe në raport me vendet e tjera është jorelevant dhe se mosdalja nga formati i Kinës 17+1 për bashkëpunimin në Europën Qendrore e Lindore, edhe pse disa vende janë larguar, lë të hapur komunikimin me Pekinin, pavarësisht qëndrimeve, ku mund të bashkëpunojnë ekonomikisht Shqipëria dhe Kina?
“Është e vërtetë ne jemi pjesë e formatit 17+1 dhe nuk kemi ndërmend që të largohemi, edhe pse Shqipëria është vendi nga të gjitha vendet e këtij formati që nuk ka përfituar as edhe një investim dhe nuk e di se ku e bazoni ju këtë bashkëpunim kaq të ngushtë me Kinën, sepse për hir të vërtetës për arsye historike, psikologjike, që unë besoj janë të të dy palëve, bashkëpunimi ynë është fare normal, krahasuar me vendet e tjera është krejtësisht jorelevant. Ideja që ne të largohemi nga forumi për të mbajtur qëndrim për çfarëdo arsye më duket një ide e gabuar. Mendoj se në botën ku jetojmë komunikimi më të gjithë pa përjashtim pavarësisht se mund të kemi qëndrime të kundërta është A-ja. Besoj se vendet demokratike që besojnë tek vlerat e dialogut, tek vlerat e bashkëjetesës paqësore e demokratike janë ato që duhet të japin shembullin, pasi ne në Shqipëri e kemi kaluar një kohë gati gjysmë shekulli me një regjim që gati si fliste askujt dhe i mbante qëndrim gjithë planetit dhe nuk i pamë hajrin këtij moskomunikimi. Mendoj që komunikimi duhen të jetë gjithmonë dhe me këdo”, thotë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
“Ne kemi 55 projekte që po ngjizen në nivel energjitike. Edhe partnerët kinezë janë të interesuar të investojnë, nuk ka asgje të keqe që pjesë e investimeve të jenë dhe kinezët. Nuk është problem. Kjo ka të bëjë me gjetjen e mundësive në kohë reale që vendi të përparojë. Ekspansioni ka treguar se nga ekonomia e gjashtë duke kaluar në të dytën, se janë seriozë dhe korrektë me kontratat që nënshkruajnë. Vendet vetë kanë marrë investime, por s’kanë mundur t’i shlyejnë”, thotë Fatos Çoçoli.
“Për investime afatshkurër dhe afatmesëm Kina duhet të shihet si partnere, sepse duke patur këtë rrjet ndihme bashkëpunimi në Europën Lindore e Qendrore mund të na krijonte mundësinë për projekte të përbashkëta, por dhe një ndërlidhje. Kina ka interesin e saj dhe ne kemi tonin”, thotë Ben Andoni.
“Shqipëria dhe Kina mund të bashkëpunojnë në shumë fusha. Kompanitë kineze kanë avantazhe dhe mund të ofrojnë projekte të mira që Shqipëria ka nevojë; për ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, porteve, megjithatë këto janë projekte shumë të vogla për kompanitë kineze sa janë të papërfillshme. Lufta në Ukrainë do e ndajë Kinën nga Perëndimi. Deri tani ka qënë e kujdesshme dhe neutral. Por kemi vizitën e Xi në Moskë, pra Kina e ka pozicionuar veten me Rusinë. Dhe për këtë ne do e shohim Kinën dhe më shumë me skepticizëm, për fat të keq”, shprehet Leftioni Peristere.
Holli në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës është një simbol i miqësisë mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, një miqësi e hershme, por që duke patur parasysh situatën gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Shqipërisë, bashkëpunimi mes dy vendeve ka ngecur. Ndoshta ky holl apo edhe nostalgjia si historia e Sier Pinos, do të jenë ato që do të mbajnë të lidhur dy vendet.
Top Channel