Një ish politikan indian i dënuar për rrëmbim është qëlluar për vdekje drejtpërdrejt në TV së bashku me vëllain e tij.
Atiq Ahmed, i cili ishte nën shoqërimin e policisë, po fliste me gazetarët kur u qëllua me armë në kokë në Prayagraj, i njohur gjithashtu si Allahabad.
Në fakt tre prej tyre nuk ishin realisht gazetarë, por ishin maskuar si të tillë. Pas të shtënave ata u arrestuan.
Videoja tregonte Ahmedin dhe vëllain e tij, të dy në pranga, teksa po flisnin me gazetarët, gjatë rrugës për një kontroll mjekësor në spital disa sekonda para se të qëlloheshin të dy.
Ai u pyet nëse mori pjesë në funeralin e djalit të tij adoleshent, i cili u qëllua për vdekje nga policia disa ditë më parë.
Fjalët e tij të fundit para kamerës janë: “Nuk na morën, prandaj nuk shkuam”.
Dhjetëra raste, duke përfshirë rrëmbim, vrasje dhe zhvatje, janë regjistruar kundër Atiq Ahmedit gjatë dy dekadave të fundit. Një gjykatë lokale e dënoi atë dhe dy të tjerë me burgim të përjetshëm në mars të këtij viti në një rast rrëmbimi. Ahmed më parë kishte pohuar se kishte një kërcënim për jetën e tij nga policia.
Tre sulmuesit e dyshuar kishin mbërritur në vend me motoçikleta, tha policia. Në vendngjarje kanë mbetur të plagosur edhe një polic dhe një gazetar. Pas incidentit të së shtunës mbrëma, kryeministri Yogi Adityanath urdhëroi një hetim gjyqësor për vrasjet dhe ndaloi tubimet e mëdha në rrethet e shtetit Uttar Pradesh për të siguruar paqen.
Ekspertët kanë ngritur pikëpyetje se si mund të vritet një njeri para mediave dhe policisë.
Top Channel