Bashkëjetesa më shumë se 1-vjeçare mes një çifti të rinjsh përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme ku vajza 28 vjeç përfundoi në spital me dëmtime të mëdha fizike ndërsa djali 31 vjeç u arrestua nga policia për dhunë dhe pengmarrje.
Ngjarja ndodhi në rrugën Frosina Plaku në kryeqytet. Në katin e 5 të pallatit që ndodhet pas krahëve të mi një 28-vjeçare u dhunua dhe u mbajt peng për gati një javë nga bashkëjetuesi i saj.
31-vjeçari Geralt Guzholli nën efektin e lëndëve narkotike dhunonte me shkopinj dhe sende të forta bashkëjetuesen e tij.
Edhe më të rëndë e bën situatën fakti që për dhunën sistematike ishin në dijeni dhe të afërm dhe shokë të të riut të cilët nuk kallëzuan krimin.
Shkak për dhunën dyshohet se ishte xhelozia e 31-vjeçarit i cili pretendonte se bashkëjetuesja e tradhtonte, prandaj e dhunonte duke thyer mbi trupin e saj mobilie dhe e mbante të kyçur në banesë pa i dhënë mundësinë të dilte të kërkonte ndihmë apo të komunikonte me dikë.
Policia arrestoi për ngjarjen edhe 4 persona të tjerë. Tre shokët e tij dhe burrin e motrës të cilët ishin në dijeni të kësaj dhune dhe nuk kallëzuan krimin.
I kunati Besmir Nurçellari dhe shoku i tij Arjan Sheta mbanin të mbyllur banesën dhe tentuan të prishnin provat ndërsa 2 miqtë e tjerë vëllezërit Bledi dhe Erlind Kateshi tentuan të largojnë autorin për të mos u vënë në pranga, por falë kontrolleve të policisë ai u arrestua pak minuta më vonë.
28-vjeçarja ndodhet në spital me hematoma të shumta por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Top Channel