Mijëra të krishterë morën pjesë në ritin mijëra-vjeçar të Zjarrit të Shenjtë në Kishën e Varrit të Shenjtë të Jerusalemit të shtunën, pavarësisht masave të rrepta të sigurisë në qytetin e shenjtë.
Kisha e lashtë u ndërtua në vendin ku tradita e krishterë thotë se Jezu Krishti u kryqëzua, u varros dhe u ringjall.
Ceremonia vjetore e Zjarrit të Shenjtë, gjatë së cilës priftërinjtë sjellin një flakë nga varri, për të cilën ata besojnë se shkëlqen mrekullisht çdo vit, shënon ngjarjen më të rëndësishme në kalendarin ortodoks.
Duke kapur qirinj, në mënyrë që flaka e shenjtë të kalohet nga një dorë në tjetrën, pelegrinët u grumbulluan brenda kishës këtë vit në numra të reduktuar.
Kisha e Varrit të Shenjtë është në Jerusalemin lindor të aneksuar nga Izraeli dhe për të dytin vit radhazi policia izraelite u kishte thënë udhëheqësve të kishës se aksesi do të kufizohej ndjeshëm.
Në të kaluarën rreth 10,000 besimtarë do të mbushnin kishën, me shumë të tjerë të grumbulluar në rrugicat përreth të Qytetit të Vjetër, përpara se flaka të shpërndahej në komunitetet ortodokse ndërkombëtarisht. Por, kësaj radhe vetëm 1800 besimtarë u lejuan bashkë me klerikët, për shkak edhe të përleshjeve vdekjeprurëse në Jeruzalemin lindor dhe Bregun Perëndimor.
Në Ukrainë, edhe këtë vit pashkët po zhvillohen në kushtet e luftës. Në qytetin lindor të Kharkiv besimtarët sollën vezë dhe ëmbëlsira në Kishë ndërsa u lutën për fitoren e vendit të tyre përballë Rusisë.
“Uroj përfundimin e luftës, që burrat tanë të mos humbin jetën, të mos vdesin njerëzit, dhe sllavët të pajtohen, sepse ne jemi tre kombe vëllezër, të mos ketë luftë, të mos vritemi. E lusim Zotin për këtë”, thotë një besimtare.
“Lutem për fitoren tonë, lutem për mbrojtësit tanë, Zoti i ruajt dhe që gjithçka të lulëzojë në tokën tonë”, shprehet një tjetër besimtare.
Tradicionalisht, shumë ukrainas vizitojnë varret e të dashurve të tyre gjatë Pashkëve për t’i bërë nderimet e tyre, por këtë vit, varrezat janë të mbyllura për publikun për shkak të shqetësimeve të sigurisë për municionet e pashpërthyera.
Ndërkohë në Rusi Patriarku Kirill mbajti meshën në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar. Pjesëmarrës ishte edhe presidenti rus Vladimir Putin.
Top Channel