Zgjedhjet e 14 majit, Balla: Roskoveci, një nga bashkitë shembull sesi Partia Socialiste është fuqia e transformimit të çdo qyteti.

15/04/2023 20:30

Kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëherësh Drejtuesi politik i qarkut Fier Taulant Balla ka vijuar me takimet edhe në Roskovec ku prezantoi kandidaten për kryetar bashkie Majlinda Bufi.

Balla u shpreh se Roskoveci tashmë është një nga bashkitë shembull sesi Partia Socialiste është fuqia e transformimit të çdo qyteti.

Në fjalën e tij Balla theksoi se kur Roskoveci qeverisej nga Saliu dhe Iliri kjo bashki nuk ishte veçse një xhep i harruar, ndaj u bëri thirrje qytetarëve se nuk duhet të kthehemi më mbrapa por duhet të shkojmë përpara duke votuar Partinë Socialiste më 14 maj.

“Në 2015 Sali Berisha i kishte të katërta njësitë e Roskovecit, por çfarë mbahet mend në Roskovec kur qeveriste Saliu? Asgjë!
Sot Bashkia Roskovec është një prej bashkive shembull i asaj që ne e duam të komunikojmë për të gjithë qytetarët në të 61 bashkitë e vendit. Është shembulli sesi Partia Socialiste e Shqipërisë me Edi Ramën është fuqia e transformimit të çdo qyteti. Deri në vitin 2015 kjo bashki ishte një xhep i harruar, ndaj ne nuk duhet të kthehemi më mbrapa ku ishim me Saliun dhe me Ilirin por ne duhet të shkojmë përpara me Edi Ramën dhe Majlinda Bufin. Kandidatin e Ilir Metës, të Nard Ndokës dhe të Vangjel Dules nuk e do ky popull, sepse si mund të jesh demokrat në Roskovec dhe të votosh kandidatin e Nard Ndokës, Vangjel Dules dhe me e keqa akoma, si mund të votosh në vitin 2023 kandidatin e Ilir Metës. Ndaj Roskoveci nuk ka votë për të dhënë për këtë koalicion qesharak që ka fshehur emrin e Saliut sepse është non grata. Kanë turp t’i venë emrin tek fleta e votimit se u vjen turp, por ky është koalicioni që kemi përballë”.

Balla gjithashtu theksoi se sot Shqipëria është një vend që respektohet në të gjithë arenën ndërkombëtare, respektohet nga të gjithë partnerët strategjik të Shqipërisë, madje nënvizon se BE mbajti Samitin në Tiranë, një moment historik për vendin tonë.

“Sot Shqipëria është një vend më i respektuar se kurrë. Falë Edi Ramës sot Shqipëria respektohet dhe ulet e barabartë në tryezë me partnerët e Shqipërisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e BE-së, madje BE vjen bën edhe mbledhjet e Samitet në Tiranë.
Të gjithë e mbajnë mend që kur qeveriste bashkë Saliu dhe Iliri, kush vinte në Shqipëri, kush e respektonte Shqipërinë siç respektohet sot. Madje sa iku Iliri nga presidenca filluan te vijnë Presidentë të huaj të vizitojnë Shqipërinë se nuk shkonte njeri të takonte Ilir Metën, ndaj çdo njeri duhet të mendojë që të kthehmi prap atje ku ishim ku nuk na respektonte njeri, apo do të vazhdojmë me Edi Ramën i cili i ka dhënë nder dhe respekt Shqipërisë”.

Në fjalën e tij Balla vuri theksin edhe tek rritja e pagave dhe mbështetja për pensionistët.

“Këto ditë ne kemi marrë një hap të rëndësishëm i cili çel një etapë të re të Shqipërisë Europiane. Kemi marrë një vendim për të rritur pagat, pagat e mjekëve, të infermierëve, mësuesve, ushtarakëve, zjarrëfikësve, administratës, ku në 2024 paga mesatare do të jetë 900 euro.
Zemra jonë janë pensionistët. Duam të bëjmë më shumë për pensionistët, kemi filluar këtë vit mbarë me një mbështetje të drejtëpërdrejtë në janar, po e bëjmë në prill, shpresojmë ta bëjmë edhe në korrik edhe në fund të vitit”.

Në fund Balla u bëri thirrje çdo qytetari që më 14 maj të votojnë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën duke ecur përpara, pa e kthyer më kokën pas nga e shkuara.

Top Channel