Një krim i rëndë brenda familjes tronditi të premten qytetin e Pejës në Kosovë, aty ku një I ri mendohet se vrau nënën e tij dhe më pas kreu akte kanibalizmi.
Vrasja makabre ndodhi në rrugën “Mbreti Zog” në banesën e familjes Hyseni.
Sipas policisë, Urim Hyseni i preu kokën nënës së tij Hyrije Hysenit në rrethana ende të paqarta. Gjatë momentit që agjentët u njoftuan për rastin dhe hynë në shtëpi e gjetën autorin duke I pirë gjakun viktimës.
I riu u prangos nga policia ndërsa trupi i pajetë u dërgua për t’u ekzaminuar drejt Institutit të mjekësisë Ligjore. Ndërkohë hetuesit mblodhën provat dhe dëshmitë e para.
Sipas organit të akuzës, Urim Hyseni nuk ishte në gjendje të fliste gjatë momentit që u tentua nga ana e prokurorëve. Ai do të japë shpjegime në një moment të dy të krimin në prani të psikologëve.
Ndërkohë vijojnë hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje. Sipas informacioneve autori jetonte jashtë Kosovës.
Sahide Gashi do të jetë prokurorja e ngjarjes tragjike, sipas Telegrafit. Në një deklaratë për media ajo tha se kanë siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes.
Prokurorja Gashi tha se kanë provuar të marrin në pyetje të dyshuarin, por ai nuk ka qenë në gjendje të flasë.
“Kemi dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Njësitin e Forenzikës ku janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës, gjithashtu kemi siguruar dëshmitarë okularë të ngjarjes. Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, mirëpo i njëjti nuk ka qenë në gjendje në prani të mbrojtësit, kështu që kemi urdhëruar që nesër në prezencën e psikologut dhe avokatit mbrojtës të provohet të merret deklarata e tij”, tha të premten prokurorja. Ajo tha se do të vazhdojnë me hetime.
“Në bazë të të gjitha rrethanave do të urdhërojmë edhe ekzaminimin në institutin e psikiatrisë forenzike të të dyshuarit dhe do vazhdojmë me hetime deri në ndriçimin përfundimtar të këtij rasti”, tha Gashi.
Ndërkaq, kreu i policisë, Ndue Nikolla nuk ka dhënë detaje se si ka ndodhur vrasja, ku theksoi “për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe meqë ka të bëjë me rast brenda familjes, këto janë informacionet që nuk mund t’i japim”.
Sa i përket motiveve të vrasjes, Nikolla ka thënë se nuk dihen ende detaje të reja, pasi hetimet janë në fazën fillestare.
Top Channel