Kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, vijuan turin në Rrogozhinë, ku Edison Memolla kandidon për një mandat të dytë në 14 Maj.
Në fjalën e mbajtur përpara banorëve, Veliaj tha se ata që deri dje drejtonin lojërat e fatit të Saliut, po katapultohen në Rrogozhinë se non-gratat nuk gjejnë dot kandidatë as në këtë bashki.
“Ata që deri dje drejtonin lojërat e fatit të Saliut, katapultohen në Rrogozhinë sepse nuk gjejnë dot kandidatë. I thonë qytetarëve të Rrogozhinës “na e jepni bashkinë, – a thua se është vare, qysqi a shkop bejsbolli, – që t’i biem qeverisë”. Ne ju themi se na duhet bashkia që Edisoni të flasë me kryeministrin Rama, t’ia miratojë projektet, të mbarojë ujësjellësi me ujë 24 orë, siç e ka Rrogozhina dhe pjesa më e madhe e rrethit tonë, dhe të kemi rrugë si Vilë Bashtova, të jetë Spilleja gjithashtu pjesë e vazhdimit të Golemit dhe këtë mund ta bëjmë vetëm me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Ndaj, për ne është një privilegj që Edi e fillon fushatën nga qarku ynë, nga dy njësitë që ne i kemi të rëndësishme, për të vazhduar projektet që ne i kemi në mes në Kavajë dhe Rrogozhinë”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolla, është djalë nga Rrogozhina, që është kthyer për t’i shërbyer qytetit të tij.
“Në dallim nga të tjerët që e sjellin kandidatin nga Tirana, me gjendje civile në Kavajë, ne e kemi nga Rrogozhina. Edisoni është çun Rrogozhine; si shumë prej nesh që shkuan jashtë dhe e filluan jetën nga zero, por ja ku është sot, është kthyer çuni juaj, djali juaj, ai që ju shërben përditë, i cili ka akoma fuqi që të shërbejë, të mbajë më shumë peshë dhe me ndihmën e Edi Ramës të vazhdojë ta çojë përpara Rrogozhinën”, shtoi Veliaj.
Top Channel