Një vrasës famëkeq që u arratis nga burgu duke inskenuar vdekjen e tij, është kapur sërish në Afrikën e Jugut, pasi jetoi gati një vit në vilën e të dashurës së tij doktoreshë.
Thabo Bester, i njohur ndryshe si ‘përdhunuesi i Facebook,’ është arrestuar në Tanzani së bashku me Dr. Nandipha Magudumana në fillim të javës.
Ministri afrikan i policisë Bheki Cele tha për gazetarët se çifti dhe një tjetër person që u kap me ta, kishin disa pasaporta dhe ishin gati për të kaluar kufirin drejt Kenias.
Bestor u shoqërua në Johannesburg me roje të armatosura ndërsa e dashura Magudumana e ndiqte në një tjetër furgon.
Ai do të akuzohet për vrasje si pjesë e komplotit të sofistikuar të arratisjes, gjatë të cilit një trup i vdekur ishte futur në burg, me të cilin Bester inskenoi vdekjen e vet gjatë një zjarri dhe më pas arratisjen.
Një roje burgu tha se babai i Magudumana është akuzuar tashmë për vrasje në lidhje me trupin e gjetur të djegur në qelinë e Bester.
Policia tha se burri i paidentifikuar kishte vdekur nga forca e goditjeve në kokë.
Bester ishte dënuar për një vrasje e dy përdhunime të ish-të dashurës së tij, modeles Nomfundo Tyhulu. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm plus 75 vjet në 2012.
Ai njihej si ‘përdhunuesi i Facebook’ prej tendencës së përdorimit të rrjeteve sociale për të joshur viktimat në shtëpinë e tij e më pas t’i përdhunonte.
Ndërsa Magudumana, është një doktoreshë e biznesmenen e njohur, që ka mbi 100 000 ndjekës në rrjetin Instagram.
Në vitin 2018, doktoresha ishte shpallur nga rrjeti Mail & Guardian si një nga 200 afrikano-jugorët e rinj më me influencë.
Bester inskenoi arratisjen e tij nga burgu i Mangaung një vit më parë, kur ishte shpallur i vdekur nga vetëvrasja në qelinë e tij.
Detajet janë bërë publike vetëm ditët e fundit teksa kritikët thonë se zyrtarët po përpiqeshin të fshihnin ngjarjen.
Lajmi shkaktoi interes të gjerë të publikut çka bëri që Bester e Magudumana të largoheshin nga vendi, si dhe kritika ndaj qeverisë për mosveprimin ndaj kriminelëve të rrezikshëm ne arrati.
Top Channel