Ndryshe nga qeveria, përfaqësimi i grave që garojnë për bashkitë e vendit është më i ulët. Për 61 bashki të vendit garojnë 141 kandidatë, prej të cilëve vetëm 17 janë gra.
Në vendimmarrjen parlamentare numri i grave është më i lartë. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, kandidatet gra morën 47 mandate nga 140 vende që janë në kuvend.
Në këto zgjedhje vendore Partia Socialiste garon me 8 kandidate gra, Partia Demokratike me 4, njëjtë edhe koalicioni Bashkë Fitojmë, ndërsa vetëm një për PDIU-në.
“Ky është një lajm i keq për gratë në politikë por edhe për lëvizjen e gruas në politikë që gjithmonë ka qenë shumë aktive në fuqizimin e pozitave të grave në politikë edhe në advokimin për të pasur sa më shumë gra në pozicione drejtuese. Kështu që për këtë arsye them që 17 gra në 141 kandidatë është një lajm i keq sepse këto për më tepër janë kandidatë dhe jam e sigurt që numri i fitueseve gra do jetë akoma dhe më i vogël nga 17 nga 61 bashki që ne do kemi. Kështu që për këtë arsye them që kemi shkuar hapa mbrapa kur vjen fjala për pjesmarrjen e grave në politikë”- u shpreh Iris Luarasi.
Përfaqësimi i ulët i grave në drejtimin e bashkive vjen edhe si pasojë e vështirësive qe gratë hasin për të pasur si mbështetjen brenda partisë ashtu edhe jashtë saj, në një shoqëri që është mësuar me vendimarrjen e burrave në politikë.
“Përballja e grave në nivel vendor është kokë më kokë dhe ti patjetër duhet të kesh një grua që është e mbështetur shumë politikisht dhe që është e aftë për të marrë vota dhe nga ana tjetër ne dimë që përgjithësisht në zgjedhjet lokale dhe këtu nuk po flas për Tiranën por po flas për zonat e tjera, sigurisht që ka shumë forca të tjera që ndërhyjnë kur vjen fjala për procesin e votimit”- tha Iris Luarasi
Që prej vitit 1992, në 9 procese zgjedhore, vetëm 6% e të zgjedhurve në krye të bashkive janë gra. Shifra që tregojnë qartë që në krye të bashkive mbizotërojnë burrat.
Top Channel