Alexei Navalny në gjendje të rëndë shëndetësore, kundërshtari politik i Putinit helmohet sërish

14/04/2023 09:06

Gjendja shëndetësore e liderit të burgosur opozitar rus, Aleksei Navalny, është përkeqësuar ndjeshëm pas asaj që zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh, e quajti “trajtim” të dyshimtë nga personeli mjekësor i burgut për dhimbjet e stomakut që Navalny i kishte gjatë izolimit ndëshkues në burg.

Në një deklaratë të publikuar në Twitter, zëdhënësja e Navalnyt tha se, më 7 prill, një ambulancë u thirr vonë natën në kampin e punës ku kritiku i Kremlinit është i burgosur, pasi ai kishte dhimbje të mëdha në stomak. Ai raportohet se humbi tetë kilogramë gjatë 15 ditëve në një qeli ndëshkuese.

“Nuk ka asnjë trajtim mjekësor për të. Të gjitha ilaçet që mamaja ia dërgon me postë, autoritetet e kampit të punës nuk ia pranojnë dhe pakot i kthehen dërgueses”, tha ajo.

“Çdo herë, ne duhet të luftojmë për t’u siguruar që atij t’i ofrohet një lloj ndihme mjekësore, ndërsa personeli mjekësor i burgut injekton substanca të panjohura në trupin e tij dhe refuzon të na thotë se cilat janë këto substanca”, shtoi Yarmysh.

Tutje, ajo theksoi se “ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që tani, teksa flasim, Aleksei po helmohet dalëngadalë, po vritet dalëngadalë për të shmangur vëmendjen e publikut”.

Frika për gjendjen shëndetësore të Navalnyt është shtuar gjatë muajve të fundit pasi zyrtarët e burgut e kanë vendosur atë në izolim edhe për shkelje të vogla. Lideri opozitar i burgosur ka kaluar më shumë se 100 ditë në izolim ndëshkues që nga gushti i vitit 2022.

Së fundmi, më 11 prill, Navalny u rikthye në një qeli ndëshkuese, ku qëndron i vetëm, për 15 ditë të tjera, vetëm tre ditë pasi kishte përfunduar dënimin e mëparshëm me izolim.

Avokati i Navalnyt, Vadim Kobzev, tha së fundi që një roje burgu e kishte informuar Navalnyn se një “provokim” me një shok qelie po përgatitej kundër tij dhe se ekipi mbrojtës i Navalnyt e kishte informuar Avokaten e Popullit në Rusi, Tatyana Moskalkova, për këtë gjë.

Navalny, i cili pësoi një helmim thuajse fatal në gusht të vitit 2020 – për të cilin ai fajëson operativët e sigurisë ruse që thotë se po vepronin me urdhër të Presidentit Vladimir Putin – u arrestua më 17 janar të vitit 2021 dhe më vonë u dënua me 2 vjet e gjysmë burg për shkelje të rregullave të lirimit të mëhershëm me kusht gjatë rikuperimit të tij jashtë vendit. Kremlini ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalnyt.

Rasti i parë për të cilin ishte dënuar Navalny konsiderohet gjerësisht si një rast i sajuar, i motivuar politikisht.

Më pas, në mars të vitit të kaluar, Navalny u dënua me nëntë vjet burgim mbi akuza për përbuzje dhe përvetësim nëpërmjet mashtrimi. Ai dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar këto akuza si të motivuara politikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA