Ashtu siç ishte paralajmëruar, presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë.
Takimi u zhvillua në Rashkë të Serbisë, me në fokus zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe të veriut të Kosovës. Zgjedhjet janë caktuar, tha Vuçiç i cituar nga gazeta Danas, pavarësisht se Beogradi e bëri të qartë se fillimisht duhet të krijohej Asociacioni në mënyrë që ata të kthehen në institucione.
“Nuk u shkon mendja të formojnë Asociacionin. Dhe pastaj thanë se do të më konsideronin fajtor nëse zgjedhjet do të dështonin. Është e rëndësishme që njerëzit ta dinë, sepse jam i sigurt se as disa ministra nuk e dinë, se kush ka aplikuar në këto zgjedhje: Aplikoi Vetëvendosje e PDK në Mitrovicë. Pra partia e Thaçit dhe e Kurtit. Dhe tani, duket se në bazë të 4 përqindëshit të tyre, aq sa kanë në veri të Mitrovicës, në pamje të parë të paktën, kërkojnë të sigurohen që Kurti të jetë kryetar i Mitrovicës”, u shpreh Vuçiç.
E njëjta gjë shtoi, vlen dhe për Leposavicin me zyrtarisht 2% të popullatës dhe në Zubin Potok, gjithashtu me rreth dy për qind, shtoi Vuçiç. E di që serbët kanë vendosur të mos marrin pjesë në votime, vazhdoi ai, dhe i bëri thirrje të jenë të bashkuar e të mos ndryshojnë qëndrim.
Thënë këto, presidenti serb sërish pretendoi se politika ne tyre “duhet të jetë një politikë paqeje dhe një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me shqiptarët”, e rikujtoi plagosjen e qytetarit serb në Zveçan për të cilin tha “u qëllua pasi kishte marrë tenxhere dhe tepsi nga Serbia me qëllim që t’i shiste në treg në Kosovë”.
Top Channel