Piramida do të jetë gati nga ana e infrastrukturës në fillim të majit dhe në shtator do të presë të rinjtë dhe të rejat që duan të ndjekin pasionin e tyre në disa fusha të teknologjisë, duke siguruar një profesion të së ardhmes.
Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në një intervistë për emisionin “Wake Up” në Top Channel.
“TUMO do transferohet tek Piramida. Ne kemi një interes që djemtë dhe vajzat që mësojnë kodim, mësojnë radio, audio, video, montazh, film, scratch, java, python, realiteti virtual. Po jetojmë në botën e inteligjencës artificiale, e të robotikës, megatronikës.
Kështu që ne duam që edhe ekosistemi aty, të jetë jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë praktikën. Ne besojmë që në fund të prillit, në fillim të majit do kemi mbaruar me pjesën e infrastrukturës. Tani po vlon puna. Nëse në fund të prillit, në fillim të majit ne mbarojmë pjesën e infrastrukturës, shfrytëzojmë gjithë pjesën e verës për të bërë gjithë këto kompjuterë, kabllo, internet, pajisje të ndryshme elektronike, besojmë që me hapjen e vitit të ri shkollor, mund të fillojmë paralelisht sepse edhe nxënësit largohen për pushime.
Unë them që shtatori i këtij viti na gjen me kapacitet të plotë dhe ambicia është të dyfishohemi, nëse tani kemi 2000-2500 fëmijë, të shkojmë në 5 mijë fëmijë dhe unë besoj që këto janë punët e së ardhmes”, tha Veliaj.
Top Channel