Nga godina e Gjykatës së Lartë e deri te Muzeu i Artit Modern, Veliaj tregon projektet e reja që do të ndërtohen te Bulevardi i Ri

13/04/2023 12:44

Bashkia e Tiranës ka një projekt të cilin e ka cilësuar si ambicioz, që do të çelë një tjetër epokë të transformimit të Tiranës. Bëhët fjalë për Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave në Bulevardin e Ri, që do ti japë një hov të ri zhvillimi anës tjetër të kryeqytetit.

“Bulevardin e Ri na bën të kuptojmë sa është rritur Tirana për 100 vite dhe sa e nevojshme ishte për qytetin zgjatimi i shtyllës së saj kurrizore. Është edhe një krahasim me 100 vitet e para, kur arkitektët italianë ose vizitorët e epokës fashiste, vinin në Tiranë dhe thoshin: ‘kemi parë qytete pa bulevard, por s’kemi parë kurrë një bulevard pa qytet’. Ndaj duam që ta adresojmë menjëherë këtë dhe bulevardi t’i bashkohet pjesës tjetër së qytetit. Bëhet fjalë për të balancuar Tiranën në anën veriore, për t’u siguruar që qyteti ka dy qendra graviteti: Sheshi ‘Skënderbej’, si hapësira që e mban në vend këtë simetri, dhe “Bulevardi i Ri” si përkufizimi i ëndrrës sonë për Tiranën e shekullit të dytë Kryeqytet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tregoi se godina e  Gjykatës së Lartë, Muzeu i Artit Modern do të jenë disa nga projektët e reja që do të ndërtohen te Bulevardi i Ri.

“Disa prej institucioneve të drejtësisë do të kalojnë te Bulevardi i Ri. Kemi piketuar hapësirën ku do të jetë godina e re e Gjykatës së Lartë dhe jemi duke piketuar hapësirën për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës. Sot institucionet janë të shpërndara, çka shton trafikun dhe ecejaket në qytet, ndërkohë duke i sjellë në Bulevardin e Ri ulin pak presionin që ka Tirana e vjetër. Kemi një plan në prag të miratimit për të zhvendosur zyrat administrative të Bashkisë së Tiranës te Bulevardi i Ri. Nëse jemi ne të parët që zhvendosemi aty, shtojmë besimin te investitorët dhe operatorët e tjerë për t’u transferuar edhe ata te Bulevardi i Ri. Godina aktuale e Bashkisë së Tiranës do të ruajë selinë tradicionale, ku do të bëjmë pritjet dhe përcjelljet protokollare. Ndërkohë, administrata do të transferohet në një ndërtesë ultra moderne te Bulevardi i Ri”,  tha Veliaj.

Këtë të enjte nisi gara për përzgjedhjen e projektit fitues të Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave.

Top Channel