“Listë e zezë me emra të lidhur me Rusinë”, Escobar në Top Story: Ka persona që janë të gatshëm të pranojnë financimet

13/04/2023 21:37

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për emisionin Top Story tha se është e vërtetë që Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas Escobar, personat e përfshirë janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse për të çuar përpara agjendën e Rusisë.

Për të luftuar ndikimin rus, ai theksoi se Amerika po përpiqet të krijojë një rrugë që vendet e rrezikuara, përfshirë edhe Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian.

Çdo vend duhet të jetë shumë i kujdesshëm në financimin e fushatave, theksoi diplomati amerikan në lidhje me financimin rus.

Grida Duma: Financimi rus në partitë politike është një çështje e rëndësishme. Është vërtetuar se ka – në realitet – parti politike dhe disa individë që kanë marrë para nga kompani apo individë rusë. Së pari, a kemi një listë konkrete me emrat e politikanëve nga Shtetet e Bashkuara që kanë para ruse në xhepat e tyre apo në buxhetet e partive tani?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shiko, nuk do të hyj në detaje. E vetmja gjë që është shumë e vërtetë është se Rusia ndërhyn në zgjedhjet demokratike në të gjithë Europën, jo vetëm këtu, por edhe në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Dhe ka njerëz që janë të gatshëm të pranojnë paratë ruse në emër të çuarjes përpara të agjendës së Rusisë, e cila nuk është një agjendë pozitive për këtë pjesë të botës. Unë do të thosha thjesht se ne duhet të vazhdojmë ta diskutojmë këtë dhe të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin se cilat janë pritshmëritë dhe të ndajmë informacione, kur e shohim, atë çka Rusia po bën në këtë pjesë të botës, sepse ajo (Rusia) nuk ndan të njëjtat synime si Shtetet e Bashkuara dhe Europa për Ballkanin Perëndimor. Ne po përpiqemi të krijojmë përfshirje më të madhe. Ne po përpiqemi të krijojmë një rrugë që këto vende, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtarë të organizatave transatlantike, përfshirë Bashkimin Europian. Rusia po bën pikërisht të kundërtën. Pra, ne jemi shumë skeptikë për çdo gjë që Rusia bën në sferën politike dhe ekonomike.

Grida Duma: Disa argumentojnë se këto para ruse ishin këtu përpara se të fillonte lufta Ukrainë-Rusi. Ç’është e gabuar në pasjen e lobimit apo njëfarë financimi, qoftë edhe nga Rusia? Pse duhet ta konsiderojmë këtë një, le të themi, një krim moral nëse ata politikanë do të argumentonin vetë se kjo ka ndodhur përpara konfliktit Ukrainë-Rusi?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, do të thosha se ndikimi i huaj në cilëndo zgjedhje, veçanërisht financimi, është pothuajse në çdo rast i jashtëligjshëm. Dhe në shumicën e vendeve demokratike duhet që zgjedhjet të jenë një referendum për njerëzit ndaj udhëheqësve, për ata njerëz. Përpjekjet e Rusisë në të gjithë Europën në mbështetje të kandidatëve, kandidatëve specifikë, me financim nuk kanë qenë për të mbështetur qëllimet e atyre vendeve, por për të mbështetur ndikimin keqdashës të Rusisë në rajon. Dhe kështu, do të thosha se çdo vend duhet të jetë shumë, shumë i kujdesshëm, përfshirë vendin tonë, për financimin e fushatave, për mediat e lira dhe të drejta dhe për të qenë shumë të qartë për atë që Rusia po bën brenda Europës dhe brenda Shteteve të Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA