Dy persona, babë e bir, janë shpallur në kërkim pasi kishin kultivuar në sera, me kubikë, 610 fidanë kanabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, bazuar në inteligjencën informative, kanë vijuar kontrollet në territorin e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë dhe Krujë.
Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së shtetasve E. R. dhe D. R., u zbuluan 2 sera me lëndë narkotike të kultivuar në kubikë. Pjesa më e madhe e fidanëve u asgjësua me anë të djegies, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Autoritetet, në vijim të veprimeve hetimore, kanë shpallur në kërkim shtetasit E. R., 66 vjeç dhe D. R., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit që ka ushtruar Policia, ata nuk janë gjetur në banesë.
Sakaq, materialet janë referuar në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., me detyrë kryeplak i fshatit Shkozë e Bardhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel