Ukraina tha të enjten se është e vendosur në kërkesën e saj që Rusia të tërheqë trupat e saj nga Krimea, të cilën Moska e aneksoi ilegalisht në 2014, si dhe territore të tjera në Ukrainën lindore, që Rusia i pushtoi vitin e kaluar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, përmes një videolidhjeje, tha në Konferencën e Sigurisë në Detin e Zi, e cila po mbahet në Bukuresht të Rumanisë, se sulmi rus ndaj Ukrainës, tani në muajin e tij të 14-të, është “një plagë gjakderdhëse në mes të Evropës”, por që të gjithë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës duhet të respektohen.

“Ne jemi të bashkuar nga parimet e Kartës së OKB-së dhe bindja e përbashkët se Krimea është pjesë e Ukrainës dhe do të kthehet nën kontrollin e saj”, tha zoti Kuleba.

“Sa herë që dëgjoj zëra nga çdo cep i botës që thonë se Krimea është disi e veçantë dhe nuk duhet t’i kthehet Ukrainës, si çdo pjesë tjetër e territorit tonë, duhet ta them në mënyrë të qartë se Ukraina kategorikisht nuk pajtohet me këto deklarata”, u tha ai përfaqësuesve të 50 vendeve që po marrin pjesë në konferencën që po mbahet në kryeqytetin rumun.

Ndërsa Moska dështoi në fazat e hershme të luftës vitin e kaluar të merrte kontrollin e të gjithë Ukrainës, ajo vazhdon të kontrollojë Krimenë dhe pjesë të Ukrainës lindore. Rusia njoftoi aneksimin e provincave të Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhzhias shtatorin e kaluar, por ajo nuk e kontrollon të gjithë territorin e këtyre rajoneve lindore të Ukrainës.

Nuk ka shenja se së shpejti mund të ketë bisedime të paqes, megjithëse Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer disa herë robër lufte dhe kanë arritur një marrëveshje për eksportimin e drithërave ukrainase dhe plehrave kimike ruse.

Gazeta Washington Post raportoi të enjten se dokumentet tepër sekrete të qeverisë amerikane, të publikuara në internet, tregojnë se Agjencia e Inteligjencës e Departamentit amerikan të Mbrojtjes ka arritur në përfundimin se lufta ka të ngjarë të vazhdojë në vitin 2024. Sipas dokumenteve sekrete, edhe nëse Ukraina arrin të rimarrë sasi “të konsiderueshme” territori dhe u shkakton “humbje të mëdha forcave ruse”, kjo nuk do të çonte në fillimin e bisedimeve të paqes.

“Negociatat për t’i dhënë fund konfliktit nuk kanë gjasa të fillojnë gjatë vitit 2023 bazuar në të gjithë skenarët e konsideruar”, thuhet në dokument.

Publikimi i videos që tregon prerjen e kokës së një ushtari ukrainas

Zyrtarët ukrainas hapën të mërkurën një hetim mbi një video, të publikuar në mediat sociale, që dyshohet se tregonte se si një ushtar rus i pret kokën një ushtari ukrainas.

Agjencitë e lajmeve nuk arritën ta verifikonin menjëherë vërtetësinë e videos. Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në një video-mesazh se video tregon se “Ka diçka që askush në botë nuk mund ta injorojë: me sa lehtësi vrasin këto bisha”.

Presidenti Zelenskyy tha se video tregonte “ekzekutimin e një robi lufte ukrainas” dhe se “të gjithë duhet të reagojnë. Mos prisni që kjo të harrohet me kalimin e kohës.”

Videoja duket se tregon një burrë me uniformë të gjelbër dhe me një shirit të verdhë në krahë, që zakonisht përdoret nga luftëtarët ukrainas. Britmat e tij dëgjohen përpara se një burrë i maskuar ia prenë me thikë kokën. Në videon e publikuar në internet, burri i maskuar dhe një burrë tjetër dëgjohen duke folur rusisht.

Kreu i agjencisë shtetërore ukrainase të sigurisë, Vasyl Maliuk tha se agjencia që ai drejton ka hapur një hetim për këtë çështje. Zyrtarët po studiojnë videon për të identifikuar autorët dhe viktimën.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i quajti “të tmerrshme” pamjet në videon e publikuar në internet, por tha se origjinaliteti i saj duhej të verifikohej.

Shefi i të drejtave të njeriut në Ukrainë, Dmytro Lubinets tha se ai do të kërkojë nga Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut që ta hetojë këtë rast.

Në një postim në Telegram, Lubinets shkruante: “Ekzekutimi publik i një të burgosuri është një tjetër tregues i shkeljes së normave të Konventës së Gjenevës, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe shkelje e të drejtës themelore për jetën.”

Ukraina e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për kryerje të krimeve të luftës dhe vrasje të civilëve gjatë agresionit të saj ndaj Kievit, që tani ka hyrë në muajin e 14-të, ndërsa Moska thotë se ka vënë në shënjestër vetëm objektet ushtarake dhe infrastrukturën energjetike dhe ujore të Ukrainës.

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për krime lufte në lidhje me rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës për çështjet e sigurisë kombëtare, Jeff Seldin kontribuoi në këtë artikull. Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA