“Inceneratorët, dosja duhej pushuar”/ Avokati Klodian Skënderi: Para parimit të gjësë së gjykuar

13/04/2023 15:06

Klodjan Skënderaj, avokati i dy prej të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit i kërkon gjykatës Antikorrupsion që të respektojë parimin ‘e gjësë së gjykuar’ .

Duke këmbëngulur se Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallia janë hetuar dhe më herët nga akuza e Elbasanit dhe dosja është pushuar, mbrojtja e çiftit  kujton shembullin e ndjekur nga e njëjta gjykatë për shtetasin Robert Shabai dhe të ndjerin Enver Sheshi.

Të dy ata, në gjyqin mbi inceneratorin e Fierit, i kishin kërkuar togave të zeza lirimin mbasi ishin gjykuar më herët dhe nuk mund të ri gjykoheshin dy herë. Por, kërkesa e të dyshuarve u pa e drejtë vetëm mbasi njëri prej tyre ndërroi jetë . Pasi qëndroi disa muaj në paraburgim për Shabanin gjyqtarja paraprake deklaroi  se çështja duhej pushuar dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij.

“Që në krye të herës, Prokuroria e Posaçme ka pasur një pengesë proceduriale ndaj dy të pandehurve që unë përfaqësoj. Pengesa është pikërisht vendimi i gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan. Në rastin konkret, duke marrë shkas dhe nga çështje të tjera. Normalisht, Prokuroria duke ndjekur procedurën, duhet të procedonte me një kërkesë për revokim të vendimit të pushimit dhe pastaj ushtron vepër penale. Që do të thotë, ai vendim është sot në fuqi. Nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse faktet janë administruar dhe kanë shërbyer si bazë për dhënien e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, sikurse është rasti i vendimit të Gjykatës së Elbasanit. Janë të njëjtat shoqëri të administruara në këtë proces”.

Duke kujtuar provat, avokati këmbëngul për Top Channel se ekspertiza tregon rrethana krejt të ndryshme nga versioni i SPAK.

“Gjatë fazës së hetimeve paraprake, është proceduar me kryerjen e dy akteve të ekspertimit, siç është akti i ekspertimit të kryerjes së punimeve dhe akti i ekspertimit kontabël. Ndërkohë, te këto dy akte, siç relatojnë ekspertët, konstatohet që shumat e përdorura për ndërtimin e impiantit të Elbasanit, janë më tepër se shumat e marra nga dy burimet e financimit, nga buxheti i shtetit dhe nga ana e kontratës së kredisë”.

Top Channel