Dokumentet sekrete të Pentagonit rrezikojnë të kthehen në mollë sherri mes Serbisë dhe Rusisë.
Njëri prej tyre, të cilin e ka parë agjencia e njohur e lajmeve Reuters, duket se tregon që Serbia, vendi i vetëm në Europë që refuzoi të sanksiononte Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ka pranuar ndërkohë të furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar atje ndërkohë. Dokumenti, që është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte në mesin e dhjetëra fileve të klasifikuara që janë publikuar në internet këto javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
“I titulluar “Europa, përgjigja ndaj konfliktit që po vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti i paraqitur në formë grafiku, rendit “qëndrimet” e 38 qeverive europiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Ai tregon se Serbia ka refuzuar të ofrojë trajnim për forcat ushtarake ukrainase, por është zotuar të dërgojë në vendin e pushtuar ndihmë vdekjeprurëse ose i ka nisur sakaq furnizimet”, thotë Reuters.
Në dokument po ashtu nënvizohet se Beogradi ka vullnetin politike dhe aftësinë ushtarake për t’i dërguar armë Ukrainës në të ardhmen. Dosja mban mbishkrimin “sekret” dhe “NOFORN”, çka ndalon shpërndarjen e saj tek shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë. Në të është shënuar data 2 mars dhe është stampuar me vulën e zyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Reuters thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtij dokumenti. Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Ambasada e Ukrainës nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment. Por Janusz Bugajski, ekspert për Evropën Lindore në Fondacionin Jamestown, u shpreh se nëse dokumenti është i vërtetë, atëherë ai tregon dyfytyrësinë e Vuçiçit ndaj Rusisë ose faktin që kreu i shtetit serb ka qenë nën një presion të madh nga Uashingtoni për t’i dërguar armë Ukrainës.
Top Channel