Takimi i së enjtes i zyrtarëve të Beogradit me Listën Serbe, të cilës ata i referohen si përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, do të zhvillohet në praninë e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe të kryeministres serbe, Ana Bernabic, e pohuar kjo nga drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

“Ne do të diskutojmë për konkluzionet politike që duhet të nxjerrim. Do të shohim se si do të veprojmë në periudhën e ardhshme, duke pasur parasysh se kur është fjala për takimin e kaluar, Vuçiç kishte konkluzionet e veta, por kur i dëgjoi serbët, kur e pa atë që kërkonin dhe që ishin shumë më të rrepta në disa kërkesa, ai hoqi dorë nga propozimet e tij.

Për këtë arsye, tani do të shohim së bashku se çfarë propozimesh e përfundimesh do të arrijmë duke u kujdesuar që të mos rrezikojmë interesat tona, që të ruajmë sigurinë e popullit tonë, të ruajmë paqen dhe përsëri nga ana tjetër, të shohim se çfarë mund të bëjmë në aspektin e normalizimit”, u shpreh ai. Teksa bënte këto komente, Petkoviç shtoi se  normalizimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është i pamundur.

Disa ditë më parë, Vuçiç përsëriti se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ai la të kuptohet se nga konsultimet e radhës mes ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të dilet me “platformë e përbashkët”, e cila do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë, por ai nuk saktësoi se për çfarë masash bëhet fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA