Tritol kreut lokal të “Rithemelimit”/ Berisha: Akt terrorist! Spiropali: Për të ardhur keq që nuk pritet rezultati i hetimit

11/04/2023 15:00

Sali Berisha nuk priti  përfundimin e hetimeve, por doli nga selia e tij  për ti drejtuar gishtin e akuzës  Kryeministrit  Edi Rama dhe  ministrit të Brendshëm Bledi Cuci  si porositësit e sulmit me tritol ndaj  të  zgjedhurit të tij lokal në Vaun e Dejës.

Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së. Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti. Rama inauguroi çeljen e fushatës elektorale“, u shpreh Berisha.

Në të njëjtën linjë ishte aleati i tij Ilir Meta, i cili e konsideroi shpërthimin, akt terrorist, duke ia faturuar socialistëve. Edhe Sali Berisha e lidh ngjarjen me zgjedhjet e 14 majit, por për socialistët, pretendimet e drejtuesve të opozitës nuk janë të vërteta. Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali akuzoi Berishën dhe Metën  se po përdorin politikisht aktin.

Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë dhe  Sali Berishën, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterur. E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve“, u shpreh Spiropali.

Ngjarjen e rëndë e dënoi edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili i kërkoi  institucioneve ligjzbatuese  të vendosin para drejtësisë përgjegjësit.

 

 

Top Channel