Pronarja refuzon urdhrin e policisë për të hequr kukullat ‘raciste’ nga raftet e barit britanik, edhe pas sekuestrimit (fotot)

11/04/2023 15:24

Pronarja e një bari tradicional britanik ka sfiduar urdhrat e autoriteteve duke vendosur të tjera kukulla te saj flokëzeza në vitrinat e pijetores, vetëm disa ditë pasi policia i sekuestroi 20 prej tyre si pjesë e hetimit për “krim urrejtjeje” ndaj saj dhe bashkëshortit.

Benice Ryley ka vendosur me krenari gjashtë kukulla të tjera prapa banakut të barit të saj në  Essex në lindje të Britanisë, të cilin drejton prej 17 vjetësh bashkë me burrin e saj Chris.

Çifti në të 60-at u bastisën javës që shkoi nga policia pas një ankese anonime që sinjalizonte se kukullat dukej sikur “vinin në lojë njerëzit me ngjyrë”, megjithëse komuniteti tha se pretendimi ishte qesharak.

Zonja Ryley tregon se ka një total prej 30 kukullash të tilla të njohura në vend si ‘golliwog’ ndërsa thotë për rrjetin MailOnline se “korrektësia politike” për çështjet racore ka kaluar çdo limit.

“Kjo është qesharake. Nuk do të lejoj që autoritetet të më frikësojnë dhe do të rivendos kukullat e mia me krenari në vendet e tyre”.

“Jam ende e shokuar për faktin se gjashtë policë erdhën për të më marrë golliwog-ët e mi.  Ato kanë qenë gjithmonë pjesë e barit dhe më kujtojnë fëmijërinë time.”

Madje zonja Ryley ka vendosur dhe një njoftim në hyrje të barit duke paralajmëruar se kukullat janë të shfaqura brenda, prandaj “ata që ndjehen të ofenduar, të mos hyjnë”.

Gruaja thotë se klientët e rregullt të barit u tërbuan kur policia erdhi brenda për të hetuar atë që quanin “krim”, duke hequr kukullat nga raftet.

“Sigurisht që policia duhet të ketë gjëra më të rëndësishme për të bërë në vend që të humbasin kohën e tyre duke quajtur ‘raciste’ zbukurimet e bareve. Ata duhet të fokusohen në krimin e vërtetë”.

Klientja e rregullt e barit Sue Payne, 57 vjeçe, tha: “Ishte diçka e pamenduar dhe një shpërdorim i kohës dhe parave të policisë. Njerëzit po grabiten e goditen me thikë në rrugë, kurse të tjerë ankohen për kukullat e barit dhe policia vjen menjëherë”.

FOTO GALERI
3/7
Ajo thotë për rrjetin MailOnline se “korrektësia politike” për çështjet racore ka kaluar çdo limit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA