Presidenti i Unionit të ishujve të Komoros në juglindje të Afrikës, Azali Asumani, ka kritikuar sot planet franceze për largimin qytetarëve të tij që jetojnë ilegalisht në ishullin e Mayotte, që zotërohet ende nga Franca, ne juglindje te tre ishujve kryesore komoriane.
“Ne jemi kundër këtij operacioni. Kemi nisur diskutime me partnerin tonë Francën dhe besojmë se dialogu është një zgjidhje më e mirë se veprime të tilla”, tha presidenti Asumani.
Zhvillimi vjen teksa ministria e brendshme e Francës njoftoi planet për deportimin e emigrantëve nga ishulli në sovranitet francez duke nisur nga fundi i prillit.
Zyrtarët thonë se operacioni pritet të zgjasë dy muaj duke nisur nga fundi i muajit të Ramazanit më 22 prill, duke respektuar shumicën muslimane të banorëve të Koromos.
Në deklaratën e tij presidenti i Komoros kritikonte vendimin e ministrit francez Gérald Darmanin:
“Dialogu paqësor ka ekzistuar gjithmonë mes Komoros e Francës këto 20 vitet e fundit, ndërsa ky operacion shkel të drjetat e njeriut dhe mund të dëmtojë marrëdhëniet tona”.
Zyrtarët në Komoros thanë se i qëndrojnë deklaratës së tyre megjithëse kjo nuk pranohet nga Franca.
“Mayotte është një ishull i Komoros edhe pse është në administrim francez që kur vendi fitoi pavarësinë në 1975. Komorianët në Mayotte janë në shtëpinë e tyre”, shtonte më herët zëdhënësi i qeverisë.
Mediat franceze thonë se vendimi vjen pas rritjes së aktivitetit të bandave në ishull dhe të komuniteteve informale të komorianëve atje.
Top Channel