Bashkimi Evropian kërkon ta rrahë hekurin sa është i nxehtë, ndaj po i mëshon idesë që si Kosova, ashtu edhe Serbia janë të detyruara të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të.

Në të kundërt, tha zëdhënësi i bllokut, Petër Stano, palët do të përballen që të dyja me pasoja. Kërcënimi i tij megjithatë, dukej se më shumë i drejtohet Serbisë.

 “Ne  nuk komentojmë deklaratat e mundshme pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj marrëveshjeje, ndaj dua të fokusohem tek ujdia si e tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për të cilën është rëndë dakord. Ky është detyrimi politik që morën të dyja palët dhe ajo çfarë shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin prej tyre”, është shprehur  Petër Stano.

Komentet e tij erdhën pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili u citua nga disa media vendase të pohonte se ka ndërmend të zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë.

Pretendohet po kështu se Vuçiç është shprehur se qëndrimet e tij për moszbatimin e një pjese të pikave të ujdisë ua ka shprehur qartë bashkëbiseduesve evropianë, çka bie ndesh me pohimet e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, se palët janë pajtuar me çdo rresht të marrëveshjes, përfshirë dhe aneksin për zbatimin e saj.

Top Channel