Tre kandidatë “nën hetim”/ KQZ shtyn shortin për renditjen e kandidatëve në fletët e votimit

10/04/2023 12:30

Nuk realizohet hedhja e shortit nga KQZ për përcaktimin e renditjes së kandidatëve për kryetar bashkie në fletën e votimit, për 11 bashki; Tiranë, Kamëz, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Lezhë, Shkodër në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka deklaruar se shtyrja ka ardhur si pasojë e kërkesës nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, që hedhja e shortit për kandidatët në të 61 bashkitë dhe subjektet zgjedhore të bëhet në të njëjtën kohë për të shmangur çdo lloj keqkuptimi apo paragjykimi se dikush është më i avantazhuar sepse ka marrë dijeni më herët për vendndodhjen në fletën e votimit.

Një tjetër pengesë janë edhe tre ankimimet të subjekteve politike në kuadër të dekriminalizimit për kandidatët Rezeart Tusha në Shijak, Qerim Ismailaj në Mallakastër dhe Kreshnik Hajdari në Kuçovë.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Celibashi tha se do të pritet shqyrtimi i 3 rasteve që lidhen me regjistrimin e kandidatëve, dhe në përfundim të këtij procesi do të kemi listën e plotë të kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore për 14 majin.

“Po presim shqyrtimin e 3 rasteve që lidhen me regjistrimin e kandidatëve dhe nuk ka të bëjë me procesin e verifikimit mbi përputhshmërinë ligjore të tyre në kuadër të ligjit të dekriminalizimit për të kandiduar, por thjesht dhe vetëm për të shqyrtuar aspektet teknike të kandidimit të tyre si kandidat. Bëhet fjalë për 3 raste që janë ende në proces shqyrtimi, dy kandidat për këshillin dhe një për kryetar bashkie.

Në momentin që përfundon shqyrtimi i tyre atëherë do të kemi listën e plotë me të gjithë procesin e regjistrimit të kandidatëve për kryetar bashkie në mënyrë zyrtare dhe subjekteve zgjedhore.

Sa i përket pretendimeve në dy raste ka PS, dhe një PD, mbi përputhshmërinë dhe ligjin për dekriminalizimin e kandidatëve, ditën e mërkurë ne do të hapim një proces shqyrtimi të kërkesave të tyre për konsideratat që ata kanë prezantuar për kandidatët përkatës. Nëse do të jetë rasti që duhet vepruar me hetim të thelluar, do ti kërkojmë prokurorisë të veprojë. Nëse nuk kërkon hetim të thelluar, do të merret vendimi direkt nga komisioneri për këtë proces”- tha Celibashi duke shtuar se do të bëjë kërkesë që këto procedura të mbyllen sa më shpejt, me qëllim që deri më 14 prill të bëhet çelja zyrtarisht e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Top Channel