Shpërthimi në Marsejë/ Shkon në katër numri i viktimave, ende vazhdon kërkimi nën rrënoja

10/04/2023 15:51

Shkon në katër numri i trupave të gjetur në qytetin jugor francez të Marsejës, pasi një shpërthim rrafshoi një ndërtesë apartamentesh katërkatëshe.

Autoritetet lokale thanë se katër të tjerë mbetën të pagjetur dhe se përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.

Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine në orën 00:49 me orën lokale të së dielës. Shkaku mbetet i paqartë, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhje gazi.

Ministri i Strehimit Oliver Klein e përshkroi zbulimin e trupave si “të tmerrshëm, të vështirë dhe dramatik” dhe u tha gazetarëve se qeveria do të mbështeste familjet e viktimave.

Pesë persona nga ndërtesat fqinje pësuan lëndime të lehta në shpërthim dhe rreth 200 njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. Dy blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë, por nuk pati raportime të mëtejshme për të lënduar nga kjo.

Të hënën, kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoit Payan, paralajmëroi se ekziston ende rreziku që ndërtesat aty pranë mund të shemben.

Rreth 100 zjarrfikës shkuan në vendngjarje për të shuar një flakë që digjej nën rrënoja gjatë të dielës. Zjarri pengoi përparimin dhe e bëri të vështirë për ekipet e shpëtimit vendosjen e qenve nuhatës, megjithëse autoritetet thanë të dielën në mbrëmje se zjarri po tregonte shenja të shuarjes.

Operacionet e shpëtimit vazhduan deri në orët e para të së hënës me ndihmën e një vinçi dhe dritave. Një gjimnaz lokal dhe dy shkolla janë hapur për të akomoduar njerëzit që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu ofrohet mbështetje psikologjike.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në Twitter se ai “po mendonte për të prekurit dhe të dashurit e tyre” dhe falënderoi punonjësit e urgjencës për përpjekjet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA