Policia irlandeze sulmohet me bomba benzine gjatë paradës së Pashkëve

10/04/2023 18:53

Policia në Irlandën e Veriut është sulmuar me bomba me benzinë ​gjatë një parade të Pashkëve.

Incidenti ndodhi në zonën e Creggan në Londonderry të hënën e Pashkëve, ndërsa oficerët morën pjesë në atë që ata e përshkruan si një marshim “të paralajmëruar” nga republikanët disidentë.

E hëna shënoi 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes të së Premtes së Mirë, një marrëveshje paqeje që i dha fund kryesisht tri dekadave të gjakderdhjes sektare në Irlandën e Veriut.

Është gjithashtu dita kur republikanët disidentë shënojnë tradicionalisht përvjetorin e kryengritjes së Pashkëve kundër sundimit britanik në vitin 1916.

Automjeti i policisë, një Land Rover i blinduar, ishte parkuar larg vendit të marshimit kur u sulmua.

Ai mori flakë për pak kohë përpara se të tërhiqej, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar gjatë incidentit, tha policia.

“Oficerët tanë janë sulmuar në Creggan me bomba benzine dhe objekte të tjera të hedhura në automjetin e tyre, ndërsa ishin të pranishëm në një paradë të pa njoftuar të Pashkëve”, tha një zëdhënës i Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut.

“Nuk raportohet për të lënduar në këtë moment. Ne do të apelojmë për qetësi.” Incidenti u dënua nga deputeti Stephen Farry, nga Partia Aleancë e qendrës.

Sulmi ndodhi pasi Papa Françesku vlerësoi marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998.

“Me një frymë mirënjohjeje i lutem Zotit të paqes që ajo që u arrit në atë hap historik të mund të konsolidohet për të mirën e të gjithë burrave dhe grave të ishullit të Irlandës”, tha ai në fjalimin e tij të hënën e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA