Gjermania i dha lamtumirën energjisë bërthamore me mbylljen e tre centraleve të fundit atomike në vend.

Rreziqet e energjisë bërthamore në fund të fundit nuk janë të kontrollueshme dhe kjo është arsyeja pse braktisja graduale e energjisë bërthamore e bën vendin tonë më të sigurt dhe shmang mbetjet e reja bërthamore”, deklaroi ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke.

Koalicioni qeveritar i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP kishte rënë dakord të respektonte braktisjen e energjisë bërthamore në Gjermani, të vendosur në vitin 2011 sipas të cilës termocentralet e fundit bërthamore do të mbylleshin në fund të vitit 2022.

Por lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka, pasi furnizimet me gaz rus në Gjermani u ndërprenë dhe ekzistonte frika e mungesës së energjisë. Për këtë arsye, kancelari Olaf Scholz vendosi zgjatjen e periudhës së funksionimit të centraleve bërthamore deri në mes të prillit 2023.

Tanimë, tre termocentralet e fundit gjermane ende në shërbim, e ndërpresin përfundimisht furnizimin për rrjetin më 15 prill.  Në Republikën e vjetër Federale Gjermane, përpara bashkimit gjerman, kundërshtimi i energjisë bërthamore nxori në rrugë qindra mijëra të rinj, kryesisht në vitet 1970 dhe 1980.

Fatkeqësia e Çernobilit në Bashkimin Sovjetik u pa si konfirmim i rrezikut të energjisë bërthamore. Pas shpërthimit atje, Suedia vendosi t’i jepte fund menjëherë energjisë bërthamore, por e anuloi vendimin në 1996.  Italia mbylli dhe ajo dy termocentralet e saj të fundit bërthamore.

Vende të tjera evropiane si Holanda ose Polonia po planifikojnë një zgjerim të furnizimit me energji bërthamore, ndërsa  Belgjika po e shtyn mbylljen e planifikuar. Me 57 reaktorë bërthamorë, Franca ka qenë gjithmonë prodhuesi kryesor i energjisë elektrike bërthamore dhe kështu vazhdon të mbetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA