Ligjvënësit grekë do të votojnë mbi legjislacionin urgjent të paraqitur nga qeveria në Athinë për të ndaluar partitë neo-naziste të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme kombëtare në maj.
Ky veprim u bë pasi një neo-nazist i dënuar krijoi, nga burgu, një parti politike që po fiton mbështetjen e popullit përpara zgjedhjeve.
Ministri grek i Drejtësisë Makis Voridis paraqiti legjislacionin në parlament, duke e konsideruar atë si të paprecedentë dhe pjesë të përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur demokracinë në vendin ku ka lindur demokracia.
Me këtë projektligj, tha ai, është hera e parë në histori që deputetët grekë i kërkojnë të gjithë trupit gjykues të Gjykatës së Lartë të peshojë kredencialet e një partie dhe anëtarëve të saj për të garuar në zgjedhje.
Ky projektligj u sugjerua vetëm disa javë pasi ligjvënësit grekë votuan për të ndaluar Ilias Kasidiaris, anëtari kryesor i partisë tanimë të zhdukur Agimi i Artë, të konkurrojë në zgjedhjet e 21 majit.
Zoti Kasidiaris është mes 60 anëtarëve dhe politikanëve neonazistë që vuajnë dënime të ashpra për shënjestrimin e emigrantëve, homoseksualëve dhe aktivistëve politikë të majtë në kulmin e aktiviteteve të Agimit të Artë nga viti 2012 deri më 2019.
Burgimi i tij nuk e ka penguar të jetë i zëshëm. Nga burgu, ai ka krijuar një parti politike të quajtur “Grekët“dhe një kanal në YouTube me mbi 120,000 ndjekës.
Pavarësisht përpjekjeve të ligjvënësve dhe partisë konservatore në pushtet për ta ndaluar atë të kandidojë në zgjedhjet e majit, zoti Kasidiaris ka dhënë dorëheqjen së fundi, duke emëruar në vend të tij një ish-prokuror të Gjykatës së Lartë me precedentë të pastër penalë për të udhëhequr partinë në zgjedhjet e ardhshme.
Me rritjen e pakënaqësisë mes grekëve për konservatorët në pushtet dhe partitë politike kryesore, sondazhet tregojnë se partia e zotit Kasidiaris ka një mbështetje prej rreth 3 për qind, shifër e mjaftueshme për të fituar hyrjen në parlamentin grek.
Për konservatorët në pushtet që sipas sondazheve po përballen me rënien e përkrahjes, partia e Kasidiarit përbën një kërcënim serioz për rizgjedhjen e tyre.
Por përpjekja e re nga qeveria për të miratuar legjislacion më të ashpër ka ndezur një debat të nxehtë kombëtar. Partia kryesore e majtë Syriza ka thënë se do të abstenojë nga votimi i së martës dhe ekspertët ligjorë theksojnë frikën se miratimi i projektligjit vetëm sa do nxisë mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë të zotit Kasidiaris.
Sipas Kostas Botopoulos, profesor i së drejtës kushtetuese në Athinë, të mbrosh demokracinë do të thotë të mbrosh frymën e kushtetutës e cila sipas tij nuk i ndalon partitë të konkurrojnë për shkak të ideologjisë që ata mbështesin, por më tepër ndalon anëtarët që i përbëjnë ato parti dhe nëse kanë precedentë penalë.
Partia ‘Grekët’ është zotuar të kundërshtojë çdo përpjekje për ta heshtur atë.
Top Channel