Verën e shkuar, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin “Për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale”.
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri ka shprehur zhgënjimin që gati 9 muaj pas miratimit të ligjit dhe 3 muaj pas hyrjes në fuqi të tij.
Regjistri nuk është krijuar ende. CRCA e cilëson mungesë përgjegjësie të autoriteteve publike dhe shtron pyetjen se kujt i intereson mos-krijimi i Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale?
Altin Hazizaj, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve: Regjistri duhej të ishte krijuar që në janar të këtij viti. Përgjatë kësaj kohe të gjitha institucionet përgjegjëse kishin në dispozicion të gjithë kohën e mjaftueshme për të krijuar Regjistrin; për të regjistruar të gjithë të dënuarit për krime seksuale dhe për ta vendosur atë në dispozicion të palëve të interesuara në e-Albania. Të dhënat i ka Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe nuk e kuptoj se pse nuk ja përcjell këto të dhëna Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Të dhënat nuk do krijohen nga e para, ato ekzistojnë tashmë. Në datë 3 Mars, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA Shqipëri, i drejtoi një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të na informuar mbi gjendjen e zbatimit të ligjit dhe krijimit të Regjistrit. Disa ditë më pas jemi informuar se puna për krijimin e regjistrit vijon dhe ne do të mbahemi të informuar.
Po bëhen 9 muaj që nga dita e miratimit të ligjit dhe gati 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij, ndërkohë që autoritetet ende nuk kanë njoftuar një datë se kur Regjistri do të jetë i hapur dhe funksional. Gjatë kësaj periudhe institucionet publike, shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore, të shërbimeve shoqërore, ato sportive dhe rezidenciale, kanë vazhduar të punësojnë njerëz që kanë akses tek fëmijët, pa pasur asnjë dijeni nëse ndonjëri prej tyre është dënuar për krime seksuale kundër fëmijëve apo personave të tjerë vulnerabël.
Krijimi i Regjistrit është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Ai mbron çdo fëmijë e të rritur nga dhuna, ngacmimi apo shfrytëzimi seksual. Nisur nga rëndësia që ky ligj ka për mbrojtjen e fëmijëve, ne i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë në një seancë urgjente dëgjimore Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Brendshme dhe Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të na informuar se kur do të bëhet funksional Regjistri dhe kush janë përgjegjësit për mos-krijimin e tij.
Mos-krijimi i Regjistrit në kohën e caktuar nga ligji është tregues i mungesës së përgjegjësisë së autoriteteve publike, por edhe Kuvendit të Shqipërisë, për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna dhe krimet seksuale.
Top Channel