Shtatë vjet e 4 muaj e 28 ditë. Kaq kohë morën tentimet e drejtësisë kosovare për ta zbardhur rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt.
Njëzetekatërvjeçarja nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit – pjesa perëndimore e Kosovës – u vra më 9 nëntor, 2015, me dy plumba në kokë.
Edhe 2.705 ditë nga vrasja e saj, vrasësi është ende i lirë dhe i panjohur për organet e drejtësisë.
Për 38 ditë në vitin 2015, familja Pajazitaj nuk dinte asgjë për Donjetën, derisa trupi i saj u gjet i dekompozuar në Bjeshkën e Strellcit. Pak ditë më vonë, familjarët morën vesh se i dyshuar kryesor për vrasjen e saj ishte kushëriri i afërt i tyre, Naser Pajazitaj, atëherë 60 vjeç.
Pas 10 vendimeve gjyqësore, ku herë u shpall i pafajshëm e herë u dënua me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitaj u lirua nga të gjitha akuzat më 6 prill, 2023. Ai doli nga burgu dhe shkoi në shtëpi.
Për herë të fundit, Donjeta ishte parë jo shumë larg lagjes ku jetonte edhe ajo, edhe Naser Pajazitaj.
Nga dita e arrestimit e deri te lirimi i Naser Pajazitajt kaluan gati 5 vjet e 10 muaj.
Gjatë kësaj kohe, familjarëve u janë shtuar dhimbjet nga proceset e vazhdueshme gjyqësore.
Përgjatë këtyre viteve, Lumnija dhe Shkëlqimi u përballën vazhdimisht me ngjarjet e 9 nëntorit të vitit 2015 nëpër salla gjyqësore, sa në Pejë, sa në Ferizaj./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel