LIderët e politikës shqiptare kanë uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Pashkëve Katolike.
Në një postim në Facebook, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj uron që jeta e tyre të bekohet nga fryma e gëzueshme e Pashkës.
“Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë! Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj!”
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shkruan se “thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju”, nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal e njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim”.
“Ringjallja e Krishtit është mesazhi i fuqisë së jetës mbi vdekjen, i rrezes së dritës mbi tunelin e errësirës, i bekimit të dashurisë mbi mallkimin e urrejtjes, i paqes mbi luftën, i ngadhënjimit mbi mungesën e shpresës. Thirrja dymijëvjeçare “Paqe për ju” nuk është vetëm një mesazh fetar dhe as vetëm kristian, por një mesazh universal dhe njerëzor, për paqe, dashuri, pajtim e përdëllim! Thirrja e Pashkëve për paqe le të përshkojë jetët tona, familjet tona, vendet tona! Gëzuar Pashkët, gjithë besimtarëve katolikë!”
Në një postim në Facebook, kryeministri Edi Rama thekson se dita e Ringjalljes së Krishtit celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun.
“Mirëmëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike!”
Pashka është kremtimi më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit, pas kryqëzimit.
Top Channel